PD akuzon Bolinon se paguhet nga tenderat e Ramës, si qëndron e vërteta?

“Karlo Bolino përfituesi direkt i parave publike me ndërhyrjen e Ramës ». Ky është pak a shumë refreni disa ditor i PD-së që në fillim e shtroi në formë pyetjeje, e më pas duke nxjerë edhe faturat e pagesave për botuesin nga kompania Web & Development Communication me pronar Igli Gjelishtin. Sipas denoncimit të opozitës, “Web & Development Communication”, ka marë një sërë tenderash shtetërorë nga Agjensia Kombetare e Shoqerise se Informacionit (AKSHI) dhe një pjesë të fitimeve nga ky biznes ia ka kaluar dy shoqërive të pronarëve të Report të TV, Karlo Bolino dhe Alba Malltezi. Ish deputeti Endri Hasa ka nxjerrë edhe fatuarat e pagesave që janë bërë dhe që tregojnë se gjatë periudhës shtator 2019 – mars 2020 dy kompanitë e çiftit Bollino – Malltezi kanë përfituar afro 1 miliardë lekë, nga përfituesi i tenderave shtetërorë, Igli Gjelishti.

Nuk ka dyshim se goditja e PD-së ndaj Bolinos është e ashpër dhe selektive. Këtë e vërteton si fakti se opozita nuk denoncon televizione më të mëdhenj kombëtarë që kanë përfituar në të gjitha regjimet . Këtë e dëshmon gjithashtu edhe fushata me meme denigruese qe vijne era racizem gjuhesor që u zhvillua ndaj botuesit (shiko poshtë).

Por, pavarësisht këtij selektiviteti problemi mbetet: a janë fituaar ndershmërisht ato para nga botuesi i Report TV?

Në denoncimin e PD hidhet vetëm dyshimi. Aty krijohet një lidhje logjike se ato para po i kalojnë një mediaje që i shërben pushtetit dhe që e arriti kulmin e saj me një sondazh që e nxorri Edi Ramën liderin botëror më të pëlqyer nga italianët. Por vetëm kaq. Nga sa ka denoncuar PD nuk shihet ndonjë provë konkrete që Bolino të ketë ndërhyrë në tendera dhe si pasojë e kësaj të jetë paguar nga Gjelishti. Pra në këtë kuptim gota e denoncimit të PD është gjysëm bosh.

Por ama edhe më bosh duket gota që servirin dy të akuzuarit nga PD-ja Bolino dhe Gjelishti. Lapsi.al nuk i kushtoi vend qëndror kësaj historie që ngërthen raportin e ndyrë të politikës me mediat, deri sa të dëgjonte edhe versionin e dy të akuzuarve nga opozita. Por pasi ata kanë folur, mund të thuhet pa frikë se nëse denoncimi i PD nuk është krejtësisht i mbështetur në prova, pra ai nuk vërteton trefikun politik të influencës së Bolinos për tenderat e fituara nga Gjelishti, dëshmitë e këtyre të dyve janë edhe më pak bindëse.

Fillimisht Igli Gjelishti, ka treguar se ka punuar më parë dhe se ka miqësi me Bolinon. Se ai i është gjendur në një hall shëndetësor, se njeri që po e akuzon ka abuzuar vetë me tendera pa garë kur në pushtet ishte PD. Të vetmin argument të dobët që ka dhënë është se e ka paguar Bolinon jo në dorë por me para të rregullta, duke i kaluar punë si nënkontraktor (lexoje të plotë këtu).

Edhe Karlo Bolino ka mbështetur pak a shumë të njëjtin version të fakteve. Pasi ka akuzuar PD-në që e përndjek prej 25 vjetësh, pasi ka ngritur problemin në princip për dhunë ndaj mediave të lira: ai ka pohuar, se Igli Gjelishti i ka kaluar një pjesë të punëve të tij për ti realizuar, për të cilat e ka paguar me faturat që përmend PD-ja:

“Faturat për të cilat flitet, janë bërë nga televizioni im dhe nga dega e tij IT ndaj shoqërisë së një inxhinieri të respektuar IT, të cilin prej vitesh e kam pasur furnizues dhe klient publicitar, tani dhe mik, ortak në një shoqëri e mbyllur për mosprodhim fitimesh, dhe që në fund më kalon një pjesë të punëve të tij IT për të realizuar. Të ardhura plotësisht të ligshme, të deklaruara në tatime dhe për të cilat janë paguar TVSH dhe tatim fitimi. “Skandali” i pretenduar mbyllet këtu…” ka shkruar në përgjigjen e tij Bolino.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se në gjithë tekstin e gjatë që ka shkruar pronari i Report TV, sqarimi i vetëm përmblidhet në 3 falë: Gjelishti “më kalon një pjesë të punëve të tij IT për të realizuar. Pyetja që nuk sqarohet nga dy përgjigjet që i jepen akuzave të PD-së është: Po pse një kompani siç e quan vetën pararojë në fushën e IT, që ka në rradhët e saj 25 profesionistë të zot, i kaloka punët dikujt që nuk ka të njëjtën ekspertizë në këtë lëmi? Për shoqëri? Si mirnjohje për sëmundjen e dikurshme? Apo për motive të ngjashme me ato që pretendon opozita?

Si përfundim mund të thuhet se shpërthimi i kësaj historie nuk është një nga ato që vërtetojnë tërësisht një skandal politico mediatik, por që padyshim hedh hije të forta mbi ndrshmërinë dhe profesionalizmin e mediave që mbajë anën e qeverisë.

©Lapsi.al