“Pasditen e së dielës ka surpriza”, meteorologu Akil Osmani parashikon si pritet të jetë moti gjatë gjithë muajit shtator

Meteorologu Akil Osmani ka njoftuar se muaji shtator pritet që të jetë me mot të kthjellët dhe me temperatura më të larta se normalet. Sipas tij edhe kjo fundjavë do të jetë e favorshme për të gjithë ata që preferojnë që vera në det të mos përfundojë.

“Në fakt muaji shtator ka filluar me temperatura të larta, por që me reshjet kanë bërë të ketë një ulje të përkohshme të tyre. Deri në fundjavë do të kemi temperatura deri në 35 gradë celsius.

Në fakt jo vetëm fundjava, por nga dita e sotme dhe në vijim do të kemi mot të kthjellët dhe të qëndrueshëm, me përjashtim të pasdites së të dielës, ku nuk përjashtohet mundësia e shirave të izoluar në zonat e jugut të vendit.

Muaji shtator do të jetë me temperatura relativisht më të larta në krahasim me vlerat referuese, ndërkohë që nuk do të ketë prani të madhe të reshjeve. Edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të jenë në dominimin e temperaturave të larta dhe motit të kthjellët, me përjashtim të zonave malore, ku mund të ketë shira lokale”, – u shpreh Osmani.