Pas pikiatës në sondazhe, PD forcon divergjencat me LSI, Lulzim Basha luftë për të shkuar te qeveria pa partinë e presidentit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të mbajë në ankth Lëvizjen Socialiste për Integrim sa i takon strategjisë së listave se si opozita e bashkuar do të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit. Edhe pse na ndajnë dhe rreth 85 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, kryedemokrati Basha duket se është më pak i interesuar se me sa lista do të shkojë në zgjedhje opozita, ndërkohë që iu ka kthyer krahët aleatëve të tij, pasi e ka fokusuar vëmendjen vetë tek PD. Ditët e fundit lideri demokrat ka nisur takimet në terren, ndërsa në mes të kësaj jave prezantoi edhe programin ekonomik të Partisë Demokratike, përmes të cilit synon që të bindë qytetarët që t’i japin votën atij dhe partisë që drejton prej vitit 2013.

Pas pikiatës në sondazhe, PD shton divergjencat me LSI

Po përse zoti Basha ka nisur “De facto” fushatën elektorale, në një kohë që ai nuk e ka ndarë dhe të paktën nuk ka për momentin asgjë zyrtare se si PD do të garojë në këto zgjedhje? Kështu gazeta ka mësuar se janë disa arsye se përse shefi i selisë blu ka vendosur që të hedhë këtë hap i vetëm, duke mbajtur larg partisë që drejton LSI-në. Mësohet se një arsye se Partia Demokratike po punon për interes të saj është paraqitja e fundit dhe gjendja në të cilën ndodhet Lëvizja Socialiste për Integrim. Ditët e fundit shumë sondazhe e kanë nxjerrë LSI-në si parti që është tkurrur dhe që nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, kjo forcë politike do të merrte më pak deputetë se sa ka marrë në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2017. Ndërkohë që arsye tjetër se përse PD ka shtuar divergjencat me partinë e Kryemadhit, është fakti se demokratët ditët e fundit kanë nisur një anketë, duke trokitur derë më derë në shtëpinë e çdo qytetari dhe mes shumë pyetjeve që iu adresojnë atyre, është edhe ajo që se çfarë duan që të ndryshojë opozita e bashkuar. Mësohet se shumica e qytetarëve të anketuar prej të rinjve të FRPD kanë kritikuar aleancën e Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe afrimin me presidentin Ilir Meta . Kështu që nisur nga këto të dhëna, PD-ja po e shikon veten e saj më larg LSI-së.

Basha luftë të fortë për të shkuar te qeveria pa LSI

Por nuk ndalet me kaq, pasi sipas informacioneve nga selia blu, mësohet se kryedemokrati Lulzim Basha është partizan i idesë që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim futen të ndarë në zgjedhje dhe pastaj do të vendoset për koalicione paszgjedhore në bazë të rezultatit që do të marrë çdo parti. Ky mendim madje thuhet se është forcuar ditët e fundit pas sondazheve që e nxjerrin pikiatë LSI-në, kështu që zoti Basha ka ndezur motorët dhe po bën një “luftë” të fortë për të shkuar tek krijimi i qeverisë pas zgjedhjeve të 25 prillit pa Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pra, duke qenë se të marrësh 71 mandate në këto zgjedhje nuk është një mision i pamundur, PD ka nisur të bëjë llogaritë dhe po punon fort në prapaskenë për të përmbushur këtë plan. Megjithatë, këto lëvizje që lënë LSI-në në mes të katër rrugëve, duket se është “nuhatur” nga presidenti Meta, pasi mësohet se ky i fundit dhe media pranë tij kanë shtuar ndjeshëm presionet ndaj zotit Basha, ndërsa i kërkojnë që opozita të shkojë me një listë në zgjedhjet e 25 prillit. Pra, të gjitha këto tregojnë se ka një klimë tensioni mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje benzinë zjarrit duket se i kanë hedhur edhe ndërkombëtarët, të cilët mbështesin një qeveri PD-PS, ku jo më larg se para dy ditësh edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e pyetur në një interviste televizive për një bashkëqeverisje PD-PS, e la pezull përgjigjen.