Pas infektimit të Pëllumb Piperos me virusin 14 ditë pasi mori vaksinën, gazetari i njohur hedh dyshime të forta: “Më thanë se të injektuar ujë…”

Kryefjala e ditës së sotme pa dyshim është lajmi se i pari i infektivit, Pëllumb Pipero është infektuar me virusin 14 ditë pasi ju injektua doza e parë e vaksinës anti-Covid. Sipas shumë njerëzve kjo gjë nuk duhet të ndodhte por disa të tjerë kanë harruar faktin se vaksina merret në 2 doza.

Ka patur reagime të shumta kjo ngjarje dhe prej tyre është ajo e gazetarit të njohur Endri Xhafo i cili hedh dyshimet e tij mbi këtë cështje. Sipas tij, Piperon e ka kapur mutacioni i ri i virusit dhe gjithashtu thotë se flitet se atij i kanë injektuar ujë fiziologjik.

Postimi i plotë:

Pellumb Pipero të shkuara! Uroj ta kalosh sa më lehtë! Ti që ke kuruar të tjerët, jam i bindur që do të dish të kujdesesh edhe për veten, ndonëse kjo dreq sëmundjeje është një lloj rulete ruse! Por përtej shqetësimit njerëzor për një mjek, një të njohur, një mik të mirë të gazetarëve që s’ka thënë kurrë “jo” për të ndarë eksperiencat e veta profesionale me publikun, rasti yt është shqetësues për faktin se ti rezultove pozitiv 14 ditë pasi bëre vaksinën.

Tani gojët e liga do të thonë që të kanë injektuar ujë fiziologjik. Por unë nuk e besoj këtë; ti je aq i zoti sa të dallosh ç’ka shiringa dhe aq antikonformist sa të mos luash filmash. Frika që kam më vjen më shumë nga padituria shkencore: Çfarë ndodhi me ty? Çfarë ndodhi me vaksinën? Pse nuk funksionoi te ty?

Nga kushtet e ruajtjes? “Qimja e derrit”? Apo ndonjë variant britanik i virusit që mund të ketë hyrë në Shqipëri, e që ISHP s’e ka pikasur? Sa i lartë është rreziku i infektimit edhe pas vaksinimit për bluzat e bardha, që janë shumë më të ekspozuara ndaj virusit? Po për qytetarët e thjeshtë? A është efekt anësor i vetëbvaksinës? Nëse po, çfarë shenjash klinike jep? A duhet të bëhet vaksina nga ata që e kanë kaluar koronavirusin?

Një anëtare e komitetit teknik të ekspertëve, ku edhe ti je anëtar, thotë “jo”. Një tjetër anëtare, thotë “po”. Po, apo jo? A do të respektohet kalendari i të vaksinuarve të parë, që duhet të marrin tani dozën e dytë? Nëse Pfizer dhe AstraZeneca ngadalësojnë prodhimin, kur do të na vijë radha? Para apo pas zgjedhjeve? Ka plot pyetje që më vijnë në mend tani, por po e mbyll me urimin që sinqerisht ta kalosh sa më lehtë e sa më shpejt, edhe nëse pyetja çfarë ndodhi me ty, nuk merr përgjigje. Tek e fundit, përpara shëndetit kush po pyet për të tjerat!