Pas arrestimeve tek “Shefqet Ndroqi”, Rama jep lajmin e mirë: “Jemi pranë hapit të madh, ky është një mesazh i qartë për…”

Pak momente më parë kryeministri i vendit, Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për gazetarët në fokus të së cilës ishte shëndetësia. Kreu i shtetit ka komentuar për herë të parë skandalin tek “Shefqet Ndroqi” duke thënë se arrestimi i menjëhershëm i bashkëpunëtorëve të Tires ishte një lajm mjaft i mirë. Ky është një lajm mjaft i mirë edhe për të gjithë qytetarët që nuk qëndrojnë të heshtur para situatave të tilla por i denoncojnë ato tek autoritetet përkatëse.

“Duke filluar nga lajmi shumë i mirë i prangosjes edhe katër, në kuadrin e hetimeve të thelluara që nisën pas hetimeve të thella, pas emisionit investigativ. Është një lajm shumë i mirë se është një mesazh i qartë për qytetarët që nuk duhet të ngurrojnë të denoncojnë në çdo drejtim që e shohin të arsyeshme, përfshi edhe mediat investigative, që gjej rastin t’i falenderoj për punën, si dhe për këtë rast kaq skandaloz dhe domethënës. Është një mesazh i qartë për të gjithë atë pjesë të trupës të bluzave të bardha, që për fat të mirë është një pakicë e vogël por e mjaftueshme për të ndotur imazhin e bluzave të bardha, dhe rrugën e transformimit të kushteve dhe performancës. Është një mesazh i qartë edhe për të ardhmen, pasi besoj që kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të rryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit. Reformë që ne e kemi nisur dhe tani jemi në hapin e madh të autonomisë spitalore”, u shpreh Rama.