Partia Demokratike vazhdon këmbëngul: Nuk ka pajisje e mjekë, bëni transparencë me tamponët, po rezultojnë fals

Partia Demokratike vijon të këmbëngulë tek ideja se qeveria po abuzon me koronavirusin. PD ka denoncuar sërish ditën e djeshme Ministrinë e Shëndetësisë, duke u shprehur se nuk ka pajisje dhe mjekë si dhe ka shtuar që qeveria duhet të jetë më transparente me tamponët, pasi sipas PD ata po rezultojnë fals. Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia i ka drejtuar 10 pyetje Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryeministrit Edi Rama, lidhur me menaxhimin e situatës së COVID-19. “Dhe pyetja e hershme e mbetur pa përgjigje: Nga janë marrë e me çfarë procedurash tamponët që dalin në përqindje kaq të lartë false negative për personat e dyshuar me Covid-19? Edhe sa viktima të tjera duhet të ketë, që të impenjoheni seriozisht për rritje fondesh, kapacitetesh dhe tamponësh për të bërë si duhet identifikimin e gjurmimin e përhapjes së Covid-19 në gjithë vendin, e për ta këputur zinxhirin e infektimit? Akoma besoni se ky virus mund të luftohet vetëm me propagandë”, ka deklaruar Spahia. Me anë të një statusi në Facebook, Spahia ka akuzuar qeverinë se ka dështuar në përballimin e pandemisë, si në aspektin ekonomik dhe shëndetësor, ashtu edhe në atë social. Ai i drejtohet qeverisë dhe kryeministrit, duke i pyetur se si është situata në këto momente nëpër spitale, sa u takon pajisjeve dhe mjekëve. Sakaq Spahia shton se PD ka marrë denoncime se ka mungesë stafi spitalor si dhe mungesë pajisjesh. Ish-deputeti demokrat pyet nëse po bëhet diçka nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për të shtuar stafin. “Si është situata konkrete, pasi me denoncimet që na vijnë, arsyeja se pse nuk hapet as edhe një repart i ri spitalor, pas Covid 1 e 2 është se nuk ka pajisje e madje as mjekë (sidomos anestezistë-reanimatorë) mjaftueshëm? A është e vërtetë se ka mungesa serioze stafi mjekësor, kryesisht anestezistë edhe tek vetë spitali infektiv? Çfarë po bëni për t’ua lehtësuar mbingarkesën stafit ekzistues, që po mban peshën e mungesave në mjekë e infermierë”, është shprehur në postimin e tij demokrati Bardh Spahia.

Pyetjet e PD

Më tej ish-deputeti i Partisë Demokratike, i cili ka denoncuar disa herë Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë sa i takon menaxhimit të Covid-19, shprehet se qeveria nuk ka bërë asgjë për të shtuar kapacitetet si në staf ashtu edhe në pajisje. Më tej Spahia pyet se sa ka qenë dhe sa do të jetë financimi nga buxheti i shtetit për këto rritje kapacitetesh. “Çfarë keni bërë për sigurimin e pajisjeve e kapaciteteve shtesë në staf shëndetësor (dy spitale të tjera Covid 3 e 4 i duan të dyja), prej muajit janar kur nisën përgatitjet serioze për këtë pandemi, nën nxitjen e ekspertëve vendas e të huaj? Sa ka qenë e do jetë financimi nga buxheti i shtetit për rritje kapacitetesh apo keni ndjekur strategjinë e papërgjegjshme të pritjes vetëm të ndihmave nga partnerët e miqtë e huaj”, ka shkruar ndër të tjera në postimin e tij Spahia.

Buxheti për shëndetësinë

Një tjetër shqetësim që Spahia ngre në 10 pyetjet që i drejton qeverisë, është edhe buxheti që qeveria ka vënë në dispozicion për përballimin e pandemisë. Sakaq ai ka sjellë në vëmendje raportin e OKB, ku Shqipëria ishte vendi me nivelin më të ulët të buxhetit, sa i takon pandemisë. Më tej Spahia pyet qeverinë se kur do të anulohen koncesionet për të kaluar fonde e shërbime tek institucionet e shëndetit publik. “Çfarë po bëni për të rritur buxhetin për shëndetësinë, sepse edhe vetë OKB shprehu shqetësimin për nivelin e ulët, që rrezikon betejën me Covid-19 në dëm të shqiptarëve? Kur do rishikoni dhe anuloni koncesionet për të kaluar fonde e shërbime tek institucionet e shëndetit publik, pasi ende nuk dihet si do sillet virusi Korona në muajt e ardhshëm e si do mbivendosen me virusin e gripit stinor”, ka shkruar Spahia.