Nuk ka të bëjë me shëndetin, Kryemadhi tregon arsyen tjetër pse Rama vendosi maskat me detyrim

“A e dini ju pse ka vendosur maska ai? Sepse të njëjtët njerëz i çon në takime edhe në Tiranë, edhe në Durrës dhe u vë maska që të mos i njohin.”

Pavarësisht ndryshimit të Kushtetutës dhe më pas të Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës socialiste në pushtet, për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi makinacione të tilla nuk e ndryshojnë dot votën e qytetarëve. Këtë përgjigje jep ajo kur pyetet për qetësinë e opozitës teksa zgjedhjet parlamentare por afrojnë, ndërsa shton se e ashtuquajtura “makineri” e pushtetit në dispozicion të PS-së, sipas saj është thjesht virtuale.

Zonja Kryemadhi thotë se kryeministri ka pak mbështetje në terren dhe të njëjtën njerëz sipas saj, dërgohen në çdo takim. Kjo është arsyeja për kryetaren e LSI-së që maskat u vendosën me detyrim. “Jam e qetë sepse çdo ditë minimumi takoj 100-150 veta. Takoj policë që ulërasin për mënyrën se si i trajton shteti i tyre. Takoj mjekë që kanë pagë 480 mijë lekë dhe u thuhet të blejnë maska dhe dezinfektonte.

A e dini ju pse ka vendosur maska ai? Sepse të njëjtët njerëz i çon në takime edhe në Tiranë, edhe në Durrës dhe u vë maska që të mos i njohin. Të ndryshosh Kushtetutën nuk e ndryshon votën. Taktikat elektorale nuk të shpëtojnë.

Nuk do të guxojë njeri të trokasë në derën e një qytetari për ta kërcënuar për vendin e punës. Unë e njoh Edi Ramën shumë mirë. Është bërë tre herë kryetar bashkia me LSI-në. Në 2013 fitoi për shkak të LSI-së dhe në 2017 për shkak të PD-së. Një herë që kishte LSI-në kundër humbi. Edi Rama është frikacak edhe përpara shoferit të tij”- tha ajo në emisionin “Java” në RTSH.

E pyetur për dekorimin e heronjve të Luftës Nacional-Çlirimtare nga ana e Presidentit të Republikës, drejtuesja e LSI-së thotë se është pozitive që heronjtë të përkujtohen. “Dashuria e Ilir Metës për Margarita Tutulanin është e vërtetë, për më tepër që Afërdita Tutulani ka qenë një nga themelueset e LSI-së. Nuk është keq që t’i përmendim heronjtë. Është e turpshme që të hyni në Wikipedia për Vojo Kushin thonë se është jugosllav. Sa hynë për të kontrolluar kush i bën like opozitës, të shpenzoj ca para për këtë”- shton ajo.