“Nuk di a ka akt më të turpshëm e kriminal”, shpërthen Rudina Hajdari dhe del me paralajmërimin e fortë

Deputetja Rudina Hajdari ka treguar përmes një statusi në rrjete sociale se mëngjesin e sotëm e ka nisur duke takuar nga afër burrat dhe gratë naftëtare që prej 2 javësh janë në grevë urie.

Hajdari e quan një akt kriminal e të turpshëm t’u grabisësh bukën e fëmijëve këtyre punonjësve të vuajtur duke u mbajtur padrejtësisë pagat. Gjithashtu ajo premton se do të ngrejë zërin për t’iu ardhur në ndihmë naftëtarëve, jo vetëm për problemin e pagave, por mbi të gjitha për gjetjen e një zgjidhjeje që të mos përsëritet më e njëjta situatë.

Postimi i plotë:

E nisa sot ditën me burrat dhe gratë naftëtarë të cilët janë prej dy javesh në grevë urie me kërkesën më minimaliste në botë: Duan pagat e tyre për punën që kanë kryer në Uzinë e për të cilat kanë edhe një vendin gjykate.

Elena, Dhurata, Moza, Hëna, Floresha, Zamira, Dejana, Lulzimja, Vjollca dhe zonjat e tjera sot kërkojnë veç bukën e fëmijëve të tyre.

Nuk është e vërtetë ajo që deklarohet se Armo del me humbje.

Specialistët e punonjësit më treguan me detaje se Uzina është shumë fitimprurëse.

Ajo që ndodh është se nafta vidhet, shitet në të zezë e për rrjedhojë kompanitë deklarojnë faliment e nuk paguajnë pagat e as taksat.

Pra lekët e naftës, lekët e taksave e mbi të gjitha lekët e pagave vidhen.

Nuk e di a ka akt me kriminal se sa të grabisësh bukën e fëmijëve, ëndrrat e tyre, fletoret e lapsat.

Nuk e di a ka akt më kriminal se sa të mos paguash rrogat e punëtorëve të varfër.

Nuk e di a ka akt më të turpshëm se sa një qeveri e kryeministër që hesht e tallet me bukën e fëmijëve të naftëtarëve.

U angazhova para naftëtarëve se do ta ngre zërin sa të mundem e ku të mundem për ta dhe do të jem në krahun e tyre, jo vetëm për problemin e pagave por mbi të gjitha për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë që kjo situatë të mos përsëritet më kurrë.

Nafta dhe gjithë pasuritë natyrore të vendit nuk mund të shërbejnë si mjet pasurimi për një grusht njerëzish teksa shqiptari i thjeshtë, i ndershëm e punëtor, trajtohet si qytetar i nivelit të dytë dhe vuan për bukën e gojës.

Kjo duhet të marrë fund, ata që e kanë shkaktuar duhet të dalin para drejtësisë dhe unë angazhohem që kjo të ndodhë!