Nisën kufizimet ne Shqipëri, ja si mund të lëvizni gjatë orëve të karantinës me lejet për dalje nëse keni nevojë

Dje kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese. Duke parë ritmin me të cilët po përhapet koronavirusi në vend qeveria vendosi të rikthejë masat izoluese për të paktën tre javë. Në kuadër të këtij vendimi, Policia e Shtetit u bëri dje thirrje të gjithë qytetarëve, pronarëve të lokaleve dhe drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet masat. Me urdhër të prerë policia deklaroi se, pas orës 22:00 do ndalohet çdo lëvizje nga qytetarët përveç atyre që lëvizin për arsye pune, gjithashtu të gjithë lokalet dhe restorantet do të mbyllin aktivitetin e tyre. Sakaq, ata që duhet të dalin jashtë për arsye të rëndësishme duhet më parë të marrin leje nga e-Albania, përveç atyre që japin shërbime urgjente. “Duke filluar nga dita e sotme, ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00 si dhe aktiviteti i bareve, restoranteve dhe lokaleve.

Përjashtohen rastet që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune duhet të pajisen me autorizim; personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit për leje, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse; përjashtohet nga rregulli shërbimi delivery”, deklaroi policia. Më tej u njoftua se janë shtuar forcat policore në rrugë, të cilat do të ushtojnë kontroll në çdo vend dhe do të gjobisin ata që thyejnë masat kufizuese pa asnjë leje të veçantë. “Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese. Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin do të ushtrojnë kontrolle të rrepta në bare, restorante, lokale nate dhe ambienteve të ndryshme, do të ngrihen pika kontrolli pas orës 22:00 në të gjitha akset rrugore, si dhe do të ketë prezencë të shtuar të Patrullave të Përgjithshme dhe të Policisë Kriminale, në të gjithë territorin e vendit. Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese”, theksoi policia.

Ja si merret leje-dalja:

Më tej bëhet me dije se, për të gjithë ata që duan të duan të dalin pas orës 22:00 do duhet të pajisen me një leje të posaçme në portalin e-Albania. Në këtë portal janë të specifikuar qartë cilat kategori duhet të marrin lejet si edhe dokumentet që ju nevojitet. Ndërsa theksohet se duhet të specifikoni nëse doni leje për punë apo për arsye të tjera të domosdoshme dhe më pas të ndiqni hapat që u kërkohen. Ata që kërkojnë leje për punë me turne duhet ta specifikojnë këtë detaj.

“Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Leje për dalje”; Klikoni butonin “Përdor”; Përzgjidhni llojin e lejes që ju nevojitet; Në rast se ju nevojitet leje për punë: Përzgjidhni opsionin “Leje për punë”; Përzgjidhni mënyrën e qarkullimit “Me mjet” ose “Pa mjet”; Përcaktoni fashën orare të përshtatshme për lëvizjen tuaj duke përzgjedhur një nga opsionet “Fashë fikse” ose “Punë me turne” ku vendoset ora e saktë e vajtjes dhe kthimit nga puna për secilën nga ditët e javës përfshirë edhe fundjavën; Klikoni butonin “Dërgo” për finalizimin e aplikimit tuaj”, shkruhet në rregullore.

Ja kush përfiton nga paketa 3:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po harton një paketë të tretë ekonomike që do të mbështes familjet në nevojë, si dhe do të sigurojë ilaçet për ata që trajtohen me covid. Financim ekstra do të marrin edhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. “Ne po e shohim në dinamikë se sa do të jetë infektueshmëria dhe kemi një paketë tjetër, e cila do të dalë shumë shpejt, qoftë për të mbështetur të sëmurët për barnat esenciale, qoftë për të mbështetur familjet me ndihmë ekonomike.

Masat tona shtrënguese aktualisht janë minimale, se ne nuk duam ta mbyllim ekonominë sepse mendojmë se ka mundësi që të mbajnë një ekuilibër. Ne duam që familjeve në ndihmë ekonominë t’i japim një mbështetje financiare”, deklaroi ai. Po ashtu është një paketë e tërë specifike, 15 milionë euro, e siguruar nga Banka Botërore. Plus paketa për vazhdimin e luftës me covid, 1.7 miliardë për mjetet e mbrojtës personale, për oksigjenin, dhe për pagat e bonuset.