Nga sot hyn në fuqi rregulli i ri për karantinën 7-ditore, ja me çfarë do përballen emigrantët shqiptarë sapo të arrijnë në Greqi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se nga sot çdo qytetar që do të futet në territorin grek do të duhet të karantinohet për 7 ditë.

Gjithashtu, duke filluar nga dita e hënë në nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.

Njoftimi i Ministrisë:

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pas bisedimeve të gjata me palën greke përgjatë këtyre ditëve, në nivelet më të larta me autoritetet e saj, është arritur mirëkuptimi që pika kufitare e Kakavijës të vijojë punën edhe pas orës 22:00.

Kufiri do të qëndrojë i hapur vetëm përgjatë natës së sotme duke vijuar me të njëjtat ritme intensive të testimit dhe kalimit të shtetasve të mbetur në rradhë në Kakavijë, deri nesër, e diel, dt.16 gusht 2020, ora 22:00.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit se duke nisur nga nesër dt. 16 gusht 2020 për të gjithë ata shtetas të cilët hyjnë në Greqi do të zbatohet karantinimi i detyrueshëm 7 ditor.

Gjithashtu, nisur që nga dita e hënë, dt. 17 gusht 2020, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.