Nëse nevojitet që të rrëzohet Rama e të vijë Basha, kë do zgjidhnit ju? Ja si përgjigjet Murrizi

Deputeti Myslim Murrizi teksa ka folur për zgjedhjet e 25 Prillit, ka thënë se nëse do të kishte mandate përcaktuese për qeverinë e ardhshme, do të sillte atë që e konsideron “qendra e djathtë realisht”.

Në intervistën për “Top Talk”, Murrizi theksoi se nuk do të votojë asnjëherë për të sjellë në qeveri LSI-në, pra do të mbështeste PD, por jo ministrat që vijnë nga ekstremi i majtë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Nëse merrni disa mandate që mund të jenë përcaktuese për qeverinë e ardhshme, ose nëse nevojitet që të rrëzohet Rama e të vijë Basha, kë do zgjidhnit ju? Të mbanit Ramën apo të sillnit Bashën?

Murrizi: Do të zgjidhja orientimin tim politik nga 8 dhjetori i ’90-ës, që nuk kanë të bëjnë me Partinë e Punës. Do të vinte një qeveri e qendrës së djathtë realisht, jo për hatër të programeve që ngjajnë si dy pika uji realisht.

Pyetje: Basha nuk është realisht alternativa e qendrës së djathtë?

Murrizi: Nuk e dimë, ta shohim. Me 25 prill, do shohim. Parti të qendrës së djathtë reale në Shqipëri nuk ka, por mes të dyjave do mbështesja opozitën, pra PD. Nëse do të jetë në dorën time, do të kontribuoj që të sjell në pushtet opozitën, por jo të gjithën. Unë nuk votoj që të ketë ministër nga PD të ish partive që vijnë nga ekstremi i majtë, konkretisht LSI dhe shiko listën.