Negociatat për tensionet Greqi-Turqi, Beqiri zbulon prapaskenat e rolit të Ramës si ndërmjetësues

Avokati Idajet Beqiri gjatë një interviste u shpreh se mes Turqisë e Greqisë nuk është thjeshtë një veprim personal i Ramës, sepse ai është një ndërmjetës i mirë ndërkombëtar, pasi është një evropian i cili imponohet si i barabartë.

Për Beqirin, kjo nisëm që ka marrë Rama është një nismë shumë e lavdërueshme dhe i jep shumë pikë vendit tonë.

“Rolin e ndërmjetësit nuk është e thënë që ta marrin vende të mëdha, por Trump nuk e luante dot këtë rol. Po ashtu edhe Franca ka probleme të vetat me Turqinë. Mund ta luante Merkel këtë rol, por ka pengesa të veta sa i takon BE-së dhe se ka 3 milionë turq në Gjermani që e vënë në pozitë. Mendoj se nuk është thjeshtë një veprim personal i Ramës, sepse ai është një ndërmjetës i mirë ndërkombëtar, pasi është një evropian i cili imponohet si i barabartë, gjë për të cilën ka dhënë shembuj. Në këto 30 vite, politika e jashtme e jona, si pasojë e veprimeve personale të Ramës, fqinjët na shohin me një sy tjetër, po ashtu edhe vendet e BE-së. Përvojë shumë e mirë ishte edhe drejtimi i OSBE-së.

Kjo nisëm që ka marrë Rama është një nisëm shumë e lavdërueshme dhe i jep shumë pikë vendit tonë. Më parë nuk mendohej që ta merrte kryeministri grek në shtëpinë e vet, apo ta shoqëronte ministri i Jashtëm deri te dera e makinës. Mendoj se ka arritur në një shkallë të lart marrëdhënia dhe mirëkuptimi. Nuk ka rëndësi se kush ndërrohet si president apo kryeministër, sepse objektivi është i qartë. Ne Turqinë e kemi aleat të natyrshëm dhe strategjik. Jemi të detyruar që ta kemi me një pozicion të tillë strategjik dhe me të kurrë nuk kemi humbur. Nuk duhet të trajtojmë Turqinë si pushtimi otoman, sepse nuk ka lidhje dhe është një konservatorizëm banal në diplomaci. Turqia është anëtare e NATO-s. Të përbashkëtat që kemi me Turqinë ia vë kufirin te thana atyre shteteve që e kanë mbajtur të sunduar vendin tonë. Turqia është syçelë ashtu si ne kundrejt këtyre vendeve”, tha Beqiri për RTV Ora.

Beqiri shtoi se roli i Ramës duhet përshëndetur dhe duhet të krenohemi me këtë rol dhe jo të zvogëlohet për fushata elektorale.

Beqiri: Roli i Ramës duhet përshëndetur dhe ne duhet të krenohemi me këtë rol. Nuk duhet ta zvogëlojmë për fushata elektorale, por ta lemë elektoratin që të orientohet vetë. Këto janë çështje madhore që të nderojnë si komb. Ndërmjetësuesi nuk harrohet kurrë. Ndërsa me çështjen e detin, njëra palë do të ulë tjetrën. Radhën e parë ishte Gjykata Kushtetuese që e hodhi poshtë marrëveshjen. Nuk duhet abuzuar që Greqia nxori dekretin dhe u shtri me 12 milje në det. Edhe ne me 12 milje e kemi qysh në vitin 1990. Këto 12 milje ama duhet të jenë atje ku zbatohen. Ne me Italinë ne mundemi, por Greqia nuk mundet në Korfuz pasi distanca është vetëm 1 milje./Source.al