“Ne diskutuam edhe masa të tjera”, Silva Bino zbulon detajet

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino thotë se ngushtimi i fashës orare është një vendim që është marrë për kufizim të kontakteve.
Sipas Binos, duhet të zbatohen protokollet pandemike, sepse në javën e shkuar infektimi i moshave të reja ka pësuar një rritje drastike deri në 61%.

‘Periudha e inkubacionit të sëmundjes është 2 javë, kjo është arsyeja që me këtë lloj sëmundje nuk mund të vëresh dhe vëzhgosh zbatimin e masave më pak se dy javë. Nuk janë të mjaftueshme, por është një indikator që do të ndiqet në vazhdim.

Ky është një kufizim i kontaktit që personat mund të kenë në jetën e tyre, në bare, restorante në këtë periudhë. Ne do ta shikojmë se sa e mjaftueshme do të jetë, por kjo duhet të kombinohet me zbatimin e masave të tjera. Ne diskutuam edhe masa të tjera, por diskutuam që të zbatohen ato masa që ne i kemi rekomanduar, pra të zbatohet protokolli i sigurisë në bare dhe restorante, ruajtja e distancave në vendosjen e tavolinave, gjë që shpeshherë nuk respektohet. Mbajtja e maskës, sepse edhe sot në një studim i kryhet nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, vihet re që maska të mbron në 95%. Maskë prej cope, e kombinuar me maskë kirurgjikale. Pra sa më shumë shtresa të ketë është një mjet i jashtëzakonshëm mbrojtës.

Njerëzit nuk duan ta besojnë këtë dhe janë lodhur, është e vërtetë, por duhet të kemi një besim te njëri tjetri e një mënyrë mirëkuptimi, në mënyrë që të ndihmojmë ata që janë më të dobët. Nga ana tjetër vëmë re që kemi edhe shumë të rinj që janë infektuar. Numri i infektimeve në moshën 15-24 vjeç, gjatë javës që shkoi është rritur me 61 %. Është një rritje drastike që tregon se kemi një qarkullim të dendur të virusit, sidomos në disa bashki të caktuara.’-tha Bino.