Ndahet nga jeta një ndër figurat emblematike shqiptare, nuk e mposhti dot sëmundjen

Një lajm i hidhur ka ardhur për sportin shqiptar. Ka ndërruar jetë sot në Shkodër në moshën 75-vjeçare trajneri i atletikës Vildan Tufi, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Vildan Tufi është një nga emblemat e atletikës shqiptare me ekipin e Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare.

Ai u lind në Shkodër më 14 prill 1945 dhe jetën e tij ia ka përkushtuar atletikës. Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë dhe rekordmenë por tre prej tyre në veçanti spikasin, ngaqë janë nderuar edhe me titullin e lartë.

Profesor Tufi ka stërvitur Vera Bregun, një sportiste e cila ka vendosur rekorde që ende nuk janë thyer në garën e kërcimit së gjati me 6.53 metra dhe në trehapësh me 13.51 metra. Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike në Lojërat Olimpike në vitin 1996 në Atlanta të SHBA-së. Po ashtu, dy herë kampione Ballkani dhe fituese e shumë e shumë medaljeve në gara ndërkombëtare. Pas saj ka stërvitur edhe Arbana Xhani, 20 vite kampione absolute në garat e shpejtësisë, 100 dhe 200 metra si dhe stafetë. Edhe ajo fituese e disa medaljeve në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë që kampioni i madh i tretë është Izmir Smajlaj me të cilin arriti madje të shpallej edhe Kampion Europe. Në plan kishte që me sportisten Erisa Rrasa të arrinte të tjera suksese dhe të shkonte sërish në Olimpiadë, por këtë herë planet mbetën përgjysmë.