“Mund të ketë pasoja të rënda”, Astrit Patozi paralajmëron ‘tërmet’ në politikën shqiptare: Ja çfarë pritet në shtator

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi u shpreh se të dyja palët si mazhoranca ashtu edhe opozita janë në një moment suspance që për të është shqetësuese. Ai i frikësohet një marrëveshje në heshtje të forcave kryesore politike për marrëveshjen e 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese e cila mund të bjerë në kurriz të forcave të reja që kërkojnë ndryshim të situatës.

“Politika shqiptare ndodhet në një moment suspance. Do të kemi shtator të vrullshëm pasi ka dhe turbulanca. Ka një heshtje të çuditshme. Të gjitha palët bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë me ndryshimet kushtetuese dhe marrëveshjen e 5 qershorit. Fakti që të tre aktorët heshtin apo bëjnë sikur nuk e kanë mendjen më le një shije të hidhur, pasi duket sikur ata janë të rehatuar me situatën dhe ky mund të jetë një lajm i keq për forcat e reja që kërkojnë ndryshim. Që do të thotë që aktorët e rinj duhet të jenë të vëmendshëm, pasi në kurrizin e tyre po luhet një dramë tjetër që mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë”, tha Patozi për A2.