Mjeku zbulon pse u dyfishuan shifrat e testimeve në Shqipëri: Ja çfarë po fsheh kryeministri Rama. Kjo është shumë e rrezikshme

Mjeku Bardh Spahia shprehet se Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon dhe pavarësisht kësaj me përqindjen më të lartë të të infektuarve.

Spahia shpjegon edhe arsyen përse ditët e fundit ka një rritje të numrit të testeve të paraqitura nga ministria, teksa thekson se fokusi duhet të jetë tek testimi i personave me simptoma dhe gjurmimi i kontakteve të personave të konfirmuar me koronavirus.

“Kjo lloj qasje nga ana e kryeministrit është sa qesharake, e trishtueshme, aq edhe e rrezikshme do të thoja, pasi nuk është kjo mënyra e duhur për tu përballur me një problematikë kaq serioze.

Nuk mund të flitet për paraqitje të situatës reale dhe shifra të sakta në një kohë që jemi vendi i cili tashmë është i faktuar me numrin më të vogël të testimeve. Ndërkohë në vende të tjera të cilat realizojnë një numër të testimeve të jashtëzakonshme, shihet qartë se shkalla e përhapjes së këtij virusi është rreth 5%.

Kjo është pak a shumë trendi dhe përqindja në të gjithë vendet serioze që kanë realizuar në shifra të konsiderueshme numrin e personave të testuar”, tha ish-deputeti për abc news.

“Ka një arsye shumë të thjeshtë se përse ka një dyfishim të numrit të testimeve. Kjo lidhet me numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë të cilët janë të detyruar në njëfarë mënyre të jenë të pajisur me një dokument të realizimit të këtij testi në mënyrë që të kenë akses pastaj në vendet ku do të shkojnë”, theksoi Spahia.