Ministria njoftoi hapjen e shkollave më 14 shtator, Grida Duma del me deklaratë të fortë: Vendim ngelës, e bënë nën presionin e…

Anëtarja e Kryesisë në selinë blu, Grida Duma doli në një konferencë të posaçme pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për të hapur dyert e shkollave në 14 shtator, ku kërkoi më shumë transparencë lidhur me këtë vendim.

“Kur kanë mbetur vetëm 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka marrë asnjë masë, nuk ka publikuar asnjë udhëzim dhe asnjë protokoll sigurie që ruajnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve. Edhe shpalljen e vendimit për rihapjen e shkollave e bënë nën presionin e drejtë të Partisë Demokratike”, tha ish-deputetja e PD.

Madje, opozita shkon më tej duke e cilësuar vendimin e qeverisë përtej kapaciteteve që ofrojnë godinat arsimore, sidomos në ndarjen e mësimit me turne, gjë që është zbatuar edhe përpara pandemisë.

“Vendimi i derisotëm për hapjen e shkollave është një vendim ‘ngelës’, i papërgatitur, i cili në mungesë të njohjes dhe llogaritjes së kapaciteteve, kohës, organizimit të të gjitha mjeteve, rrezikon shëndetin e fëmijëve së pari dhe gjithë zinxhirit të mëtejshëm pas tyre”, shtoi znj. Duma.