Ministria Arsimit: Ja për cilët nxënës do ketë mësim plotësues nga 31 gushti

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë në një njoftim për media ka sqaruar dhe njëherë qytetarët në lidhje me nisjen e vitit të ri shkollor, i cili u mbyll me mësim online për shkak të pandemisë së koronavirusit. MASR nënvizon se viti i ri shkollor nuk fillon më datë 31 gusht, por më 14 shtator, ashtu siç edhe është parashikuar.

“Bëjmë me dije se në datën 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese VETËM me ata nxënës të klasave 1-5 (cikli fillor), të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.

Ky program plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020”, sqaron MASR.

Ministria njofton se Zyrat Arsimore kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe që janë kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike.

“Zbatimi i programit plotësues do të menaxhohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore vendore, si dhe shkollat sipas rasteve të identifikuara.

Ndërkohë, orët mësimore gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit”, deklaron MASR.