Ministri i Edi Ramës rëndë me Covid, shtrohet te privati

Edi Rama përsëriti dje nga Vlora se spitalet tona publike nuk kanë asgjë më pak se ato të Gjermanisë, Turqisë apo Italisë. Për ta bërë këtë më të besueshme për qytetarët që fati ka dashur të mos përballen me spitalet këtë periudhë, Edi Rama u shpreh se ministrat e tij që janë prekur nga COVID 19 nuk kanë shkuar jashtë për kurim, por janë kuruar në spitalet tona publike.

Mapo u interesua për të konfirmuar këtë deklaratë të kryeministrit dhe mësoi se është e pavërtetë. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, që ka qenë i vetmi që ka patur nevojë për kurim spitalor, nuk është trajtuar as në spitalin publik COVID 1, as në spitalin publik COVID 2 dhe as në spitalin publik COVID 3.

Burime të sigurta, bëjnë me dije se Ministri Klosi është shtruar dhe kuruar në një spital privat në Tiranë dhe Edi Rama për këtë ka dijeni të plotë. Dhe nuk ka asgjë të keqe që dikush i prekur dhe që nuk ndihet mirë të kërkojë siguri dhe shërbim cilësor.

Pyetja që ngrihet është pse duhet të bëjë propagandë Edi Rama, edhe për atë se ku janë kuruar Ministrat e tij, ku dihet botërisht që edhe vetë ai, sa herë ka nevojë për trajtim mjekësor, zgjedh spitalet private dhe jo ato publike?