Milo zbulon qëllimin e vërtetë të vizitës së Ramës në Turqi dhe Greqi

Kryetari i PDS, Paskal Milo ka folur për vizitën e fundit të kryeministrit Edi Rama në Turqi dhe menjëherë më pas në Greqi, si dhe për diskutimet se nëse ai po ndërmjetëson që dy vendet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.

Sipas tij vizita e Ramës në Turqi ka qëllime elektorale dhe këtë thotë se e konstaton prej faktit se marrëveshjet e nënshkruara kërkojnë që të nxjerrin një produkt brenda 25 prillit, ditës kur do të zhvillohen zgjedhjet në vendin tonë.

“Unë personalisht duke e ndjekur me vëmendje aq sa mund ta ndjekësh nga jashtë kam mendimin se vizita në Turqi ka patur më tepër qasje elektorale. Në kuptimin që ato çfarë u nënshkruan atje si marrëveshje, qoftë spitali që do ndërtohet për 3 muaj, investimet në Laç që përsëri do kenë rezultate deri në 25 prill, apo çfarë u fol për marrëdhëniet midis 2 vendeve dhe nxitimi për të nxjerrë një produkt brenda 25 prillit kuptohet se ka prapavijë elektorale.

Turqia ka qenë dhe mbetet vend mik pavarësisht nga ndërrimi i qeverive. Erdogan është udhëheqës i fortë, autokrat. Turqia ka provuar shumë autokratë të kësaj natyre. Këtu nuk kemi të bëjmë me një grusht shteti por me një autokraci që u vendos përmes votës. Vizita e fundit kishte qëllim elektoral”, tha Milo për Report Tv.