Mentor Kikia zbulon çfarë fshihet pas përplasjes së Grida Dumës dhe Frrok Çupit

Gazetari Mentor Kikia ka dalë me një reagim të fortë në rrjetet sociale në lidhje me përplasjen mbrëmjen e djeshme të analistit Frrok Çupi me ish-deputeten Grida Duma.

Kikia shkruan kemi shumë etje për “llumë” e “këllirë” dhe janë vet mediat që i nxisin ato pasi synojnë rritjen e audiencës.

Postimi i plotë:

Sa shumë etje kemi për “llumë” dhe “këllirë”

Ndoqa një pjesë të emisionit “Open” mbrëmë. U diskutua për çështjen e mos-hapjes së negociatave, në atë pjesë që pashë unë. Sot po shikoja lajme në media online që i referoheshin këtij emisioni:

“Plasi sherri mes Grida Dumës dhe Frrok Çupi: O këllirë, o llum, o hiç”, “Jam themeluesi i partisë që ti fshin menderen moj”, “Ja çfarë i tha Grida Frrokut dhe Frroku Gridës”. Më pas në rrjet vijnë ata që lëshohen me sharje, ca ndaj Frrokut e ca ndaj Gridës.

I gjendur vetë shumë herë në të tilla mjedise, unë mendoj se kjo është forma më e shëmtuar e të bërit debat. Qytetarët që shikojnë një debat politik, presin të mësojnë se çfarë mendojnë, çfarë ideshë kanë ata njerëzit e “mençur” që janë ftuar aty. Por në fakt, çfarë ndodh?

Lajm nuk është fare as çfarë thuhet aty, as çfarë sygjerohet, por vetëm si u shanë, si u zunë, si u ofenduan…

Mark Marku, p.sh, ka një jetë që del nëpër studio, por lajm është bërë vetëm se i tha dikujt “ta fus me shishe kokës”. Padyshim edhe Frroku dhe Grida, kanë thënë gjera më të rëndësishme se ato fyerjet, por lajm u bënë pikërisht për fyerjet.

Pas çdo emisioni, mediat sulen të bëjnë lajme të tipit: plas në studio, ja si e shau, ja si i tha, ja si e kërcënoi. Madje edhe vet programet i promovojnë këto ”lajme” në faqet e tyre.

Pse ka kaq shumë etje për sharje, për ofendime, për llum? Sepse kjo sjell më shumë audiencë, sepse kjo e tërheq më shumë lexuesin dhe shikuesin? Ndoshta! Dhe kjo bën që moderatorët ta kërkojnë audiencën tek sherri e jo tek idetë që duhet të dalin në një progm të tillë. Më i zoti nuk është ai që jep argumentat dhe idetë më të mira, por ai që nuk e lë kundërshtarin të marrë frymë, nuk e lë të flasë.

Debati i parë mes Biden dhe Trump, ishte i “Alla shqiptarçe”, por opinoni brenda dhe jashtë vendit i sul të dy kandidatëve dhe në debatin tjetër ata folën për planet që kishte secili për Amerikën.