Mentor Kikia: Rama do të tërhiqet nga listat e hapura. Ja pse do të “dëmtohet” më shumë PD

Gazetari Mentor Kikia shprehet se kryeministri Rama e riktheu debatin e listave të hapura në Këshillin Politik për t’i ngecur në dorë koston politike opozitës pasi në parlament ai nuk do t’i votojë për të qenë në rregull me partnerët ndërkombëtarë që kanë vënë si vijë të kuqe marrëveshjen e 5 qershorit për hapjen e negociatave.

“Tani kemi një kryeministër i cili po tund flamurin e hapjes së listave. As PD dhe as LSI nuk duan hapjen e listave. Në do të donin, aty e kishin, nga janari deri në qershor. Por nuk e bënë dhe u morën me çështje të vogla. Në këtë moment kemi një Ramë që del si promotor i demokracisë dhe një PD që nuk do të hapë listat.

Fundi do të jetë që Rama nuk do ja arrijë të hapë listat sepse nuk do PD-ja. Rama mund t’i kalojë amendimet kushtetuese pasi PS i ka votat në Parlament, pavarësisht përbetimin e Murrizit dhe Hajdarit. Nuk do ta bëjë kështu. Do ta bëjë me konsensus por me anë të saj kalon vetëm marrëveshjen e 5 qershorit.

Rama në të njëjtën mënyrë kalon dhe amendimet kushtetuese por do të përballet me një mur të fortë si BE që automatikisht do të bllokojë negociatat. Rama nuk e do këtë kosto prandaj do të tërhiqet. Këtë po e bën përmes Këshillit Politik dhe duke ja lënë sërish faturën PD-së. Rama do thotë që nuk donim të tërhiqeshim nga listat e hapura, por PD nuk do”, tha ai për Ora News.