Mediat zbulojnë ambiciet e Athinës, ja çfarë synojnë grekët

Çështja e detit, e cila ka shkaktuar një sërë reagimesh të forta, vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Ka qenë media greke “Tovima.gr”, ajo e cila ka zbuluar se kush është ambicia e Athinës, e cila po përshpejton procedurat për një marrëveshje për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë. Qëllimi i qeverisë greke është që bisedimet për zgjerimin e ujërave territorialë të fokusohen te pakti i arritur në vitin 2009, në kohën kur vendi drejtohej nga Sali Berisha.

Ky pakt u rrëzua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese. PS në 2018 nisi procesin për një pakt të ri, ku u arrit një draft paraprak, por që nuk do të shërbejë për asnjë gjë, pasi qeveria greke i ka sytë që në tryezë të rikthejë paktin e qeverisë “Berisha”. Media greke “Tovima.gr” u shpreh dje se sipas informacioneve, ministri i Jashtëm Nikos Dendias së shpejti do të vizitojë Tiranën për bisedime, por ende nuk është caktuar ndonjë datë. “Kanalet me qeverinë shqiptare, megjithatë, janë të hapura dhe ka shumë të ngjarë që vizita në Tiranë që do të lançojë zhvillimet do të nisin me kthimin e Nikos Dendias nga New York, ku të premten ai është planifikuar të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.

Në debatin e fundit në Parlament mbi ratifikimin e marrëveshjeve për zonat detare me Italinë dhe Egjiptin, të dy kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek informuan delegacionin kombëtar se plani i Athinës është të rinisë bisedimet me qeverinë shqiptare për një zgjidhje përfundimtare: shënjimi në pritje i zonave detare. Nikos Dendias tashmë kishte pasur një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin u ra dakord për të përsëritur “bisedimet së shpejti, pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në Jon, për të zgjidhur çështjen e zonave tona detare me Shqipërinë”, tregues i klimës që po formohet dhe reagimi pozitiv i Ministrit të Jashtëm shqiptar ndaj njoftimit paraprak të Kyriakos Mitsotakis për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon nga 6 në 12 milje”, shkruan Tovima.gr.

Bisedimet Shqipëri-Athinë

Në fakt, për shkak të krizës greko-turke, por edhe sepse marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin kishin përparësi dhe nuk ishin ratifikuar nga Parlamenti, bisedimet midis Athinës dhe Shqipërisë nuk mund të fillonin në gusht. Megjithatë, qëllimi i qeverisë greke nuk është të vonojë dialogun me Shqipërinë për çështjen e ZEE, duke synuar dy drejtime: Nga njëra anë, për të përfunduar konsultimet me Tiranën së shpejti dhe për të nënshkruar marrëveshjen përkatëse, në kontekstin e zgjidhjes që ka të bëjë me të drejtat sovrane të Greqisë.

Nga ana tjetër, sepse në një kohë kur Turqia po provokon dhe shkel ligjin ndërkombëtar, Athina dëshiron t’i dërgojë mesazh Ankarasë se po diskuton dhe po vjen në marrëveshje me vendet fqinje, bazuar në Konventën për Ligjin e Detit. Sipas medias greke, në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të ushtrojë ndikim në Ballkan dhe në Shqipëri dhe si pasojë, ndryshimet kronike të Greqisë dhe problemet me vendet fqinje i shërbejnë politikës turke. Gjithashtu nuk duhet harruar që në fillim të verës, Admirali turk në pension Cihat Yaici kishte pohuar në një intervistë se Turqia ishte ajo që kishte “siluruar” marrëveshjen Athinë-Tiranë të vitit 2009 për shënjimin e zonave detare. Me fjalë të tjera, Yaici zbuloi se Turqia ndërhyri, duke paralajmëruar shqiptarët se Greqia po i mashtronte, me rezultatin që marrëveshja të anulohej.