Mediat amerikane tregojnë 4 vendimet urgjente që Joe Biden pritet të marrë sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë

Joe Biden është presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dalë nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Ai pritet të emërohet dhe të shkojë në Shtëpinë e Bardhë në janar 2021.

Ekipi i Biden është shprehur se sot pritet që ai të ngrejë një task-forcë me 12 anëtarë për menaxhimin e pandemisë së Covid-19, i cili në Amerikë shënon shifra rekord dhe numri i viktimave i ka kaluar 240 mijë. Duke qenë se janë vendi më i prekur keq nga pandemia, Biden pritet të vendosë që amerikanët të kenë të detyrueshme mbajtjen e maskës.

Gjatë zgjedhjeve, Covid-19 shënoi shifra alarmante infektimesh dhe viktimash në SHBA. Disa vendime të tjera që Joe Biden do të marrë gjithashtu, sipas mediave amerikane janë:

– Biden do të bashkohet me marrëveshjen e Parisit për klimën, nga e cila SHBA u largua zyrtarisht të Mërkurën;

– Ai do të ndryshojë vendimin për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë;

– Ai do t’i japë fund ndalimit të udhëtimit për shtetas nga shtatë vende kryesisht myslimane;

– Do të rivendosë një politikë të epokës së Obamës për dhënien e statusit të imigracionit migrantëve pa dokumenta që hynë në SH.B.A. si fëmijë.