“Me lot në sy e me zemër të copëtuar”, Hajdari jep lajmin e dhimbshëm, humb jetën nga COVID-19 vogëlushi shqiptar

COVID-19 ka shënuar viktimën më të vogël në vendin tonë. Vogëlushi shqiptar, Alvin ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Arbër Hajdari nëpërmjet një postimi në Facebook.

Pasi u dërgua në Zvicër ku të voglit i dhanë veç një muaj jetë dhe pas një ndërhyrjeje në Stamboll ku u njoftua se doli me sukses, krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga Covid-19.

Postimi i Arbër Hajdarit:

Mes trishtimit të papërshkrueshëm, me lot në sy, e zemër të copëtuar, po ju njoftoj me një lajm të dhimbshëm për mua, për prindërit, por dhe për ju. Krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga Covid-19.

Bëmë të pamundurën, nuk u dorëzuam as kur Profesori më i mirë në Europë në spitalin e Lozanës, nuk e mori përsipër operacionin e Alvinit. U operua në Turqi, u përmirësua, po rehabilitohej shumë mirë.

Por nuk paska qenë e thënë… Zoti e paska bërë për vete, siç duket! Alvini do jetë në parajsë, këtë e ka premtuar Zoti, për çdo fëmijë që ndërron jetë. Sa të jem gjallë nuk do ta harroj Alvinin, këtë fëmijë të mrekullueshëm, të zgjuar, të bukur, të mençur. Të Zotit jemi dhe tek ai do të kthehemi.