“Më akuzoi se…”, Sali Berisha tregon historinë gjatë një ballafaqimi me Ramën dhe bën deklaratën e fortë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar që ai të ketë pasur ndonjëherë kontroll mbi Gjykatën Kushtetuese.

Berisha ka treguar një histori kur kryeministri Rama e akuzon në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që ka vijuar më tej duke thënë se tashmë shumicën e vendimeve i fiton shteti ndaj qytetarëve.

Berisha: Në një ballafaqim me Edi Ramën në restorant “Krokodil”, Edi Rama më akuzon se unë kontrolloja Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë duke folur u kthehet dhe u thotë atyre “Këtij njeriu këtu GJK i ka rrëzuar 73 vendime dhe ligje.” Unë iu ktheva dhe u thashë “Ky më akuzon se unë e kontrolloj, vetë pohon se më ka rrëzuar 73 ligje. Gjykojeni vetë se çfarë ndërhyrje bëj unë te gjykata.”

Në mënyrë absolute nuk do të gjesh kurrë një gjykatës që të ketë marrë një porosi nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ka një kriter tjetër. Nëse gjatë priudhës së mëparshme, 70% të vendimeve të gjykatës i fitonin qytetarët dhe kishte një zbatueshmëri të krahasueshme me disa vende të BE, sot 96% e vendimeve fitohen nga qeveria dhe 80-90% e vendimeve që fitohen nga qytetarët nuk zbatohen. Nuk them se s’kishte të meta, dobësi, korrupsion, por edhe këta tregues të funksionit të tij janë kështu siç them unë.