Loja e rrezikshme nis të luhet në Shqipëri, brenda 1 jave 5 denoncime nga prindërit

Përdorues anonim në internet që fshihen pas personazhit “Jonathan Galindo”, dhe i nxisin fëmijët drejt një loje që mund t’i çojë deri në vetë v asje, janë të pranishëm edhe në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të policisë disa ditë më parë thuhej se nuk është konstatuar asnjë rast në vendin tonë, por në Linjën Kombetare të Ndihmës për Fëmijë, alo 116, kanë mbërritur 5 sinjalizime brenda 1 jave.

“Bëhet fjalë për një adresë që është në Instagram, fëmijët janë kontaktuar nga e njejta adresë. Disa biseda janë bërë në shqip disa biseda janë bërë në anglisht. Pra akoma duhet parë se kush është personi që fshihet pas asaj adrese. Janë të grupmoshës 10 deri 16 vjeç që na kanë sinjalizuar”.

Faqja e denoncuar është mbyllur, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit. Sipas psikologes Moza Sula, më të rrezikuar janë fëmijët që kalojnë shumë kohë në internet apo bëjnë një jetë të varfër sociale.

“Nëse ndryshon diçka në humorin e fëmijës, në rutinën ditore, në higjienën personale, nëse nuk është më i komunikueshëm se më parë. Eksplorimi në faqe të pakontrolluara mund ta bëjë femijën burim viktimizimi në çdo moment prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet kontrolli nga ana e prindërve”.

Loja “Jonathan Galindo” është vazhdim i Balenës Blu, e cila përmban 50 sfida të rrezikshme. Sipas psikologëve, informimi dhe komunikimi me fëmijët mund të shërbejë si një mënyrë parandaluese./Klan