Lajme të mira vijnë për kombëtaren shqiptare

Lajme të mira për kombëtaren shqiptare, teksa portieri, Etrit Berisha dhe sulmuesi Armando Broja janë shëruar nga COVID-19. Sulmuesi i talentuar, Broja, ka mposhtur koronavirusin dhe i është bashkuar skuadrës së Vitesses në stërvitje, ditën e djeshme, ndërsa lajmin e ka dhënë vetë klubi holandez. 19-vjeçari i Kombëtares Shqiptare rezultoi pozitiv në tamponët e kryer disa ditë më parë dhe gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në izolim. Tashmë Broja është gati për të ndihmuar Vitessen në ecurinë pozitive në kampionat.

Ndërkaq, një lajm i mirë vjen edhe nga Italia, pasi edhe kapiteni i kuqezinjve, Etrit Berisha, ka rezultuar negativ në tamponët e fundit dhe ka rinisur stërvitjen me skuadrën e Spalit. Gardiani kuqezi përjetoi një eksperiencë të tmerrshme me koronavirusin, pasi në një moment iu desh të shkonte edhe në spital për trajtim të specializuar, por tani ka lënë gjithçka pas krahëve.