Lajm i hidhur për selinë blu! Ndërron jetë ish-deputeti demokrat (FOTO)

Ish-deputeti demokrat, Esat Çoku, është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare.Lajmin e ka bërë të ditur Dalip Greca nëpërmjet një postimi në facebook, ku shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të mikut të tij.

Postimi i plotë:

Sot, e Diel, 6 Shtator 2020, në orën 3 pasdite, në var ezat e fshatit Muçias-Remas, Lushnje, u përcoll me nderime luftëtari i lirisë, ish kryetar i Shoqatës të Përndjekurve politik të Lushnjës dhe pjesë e Kryesisë të Shoqatës Kombëtare që në krijimin e saj, ish deputeti demokrat, sekretar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Lushnjës, Esat Azem Çoku. Falenderoj vëllezërit e mi që ishin pjesë e ceremonisë duke ma lehtësuar dhimbjen për mikun tim dhe të familjes!Ngushëllime bashkshortes Zyhra, djalit Frenki, vëllait Bedri Çoku me familje, të gjithë të afërmëve dhe familjarëve, miqëve dhe të njohurëve të Esatit.

Esat Çoku ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare. Sot në biseda telefonike me bashkëvuajtësit e Esatit, me Dine Dine(Nasufi), Lek Mirakaj, Eqerem Mujo, kemi shprehur ngushëllime njeri-tjetrit për humbjen e mikut tonë të dashur!

Esat Çoku i përket atij krahu të shoqërisë shqiptare që u përball dhe u ndëshkua dhunshëm nga diktatura komuniste. Është ndër familjet myzeqare që mbart peshë të rënde të diktaturës me dënime të ashpra:

– Azem Çoku, babai, 11 vjet (Emrin e tij e mbanë rruga e fshatit).

– Caush Çoku, djali i vogël, 22 vjet (ndjesë pastë ndërroi jetë para një muaji).

– Bedri Çoku, djali i dytë, 23 vjet.

– Esat Çoku, djali i madh, më 14 janar 1980, Gjykata e Rrethit të Lushnjës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

– Esma Çoku, e internuar me dekada, bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve; 64 vjet dyerve të hekurta, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijve.

Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar postin e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie politike.

Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, anëtar i Kryesisë, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Lushnjës dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.

Takimi i parë me Esatin ishte fare i veçantë, takim në mungesë. Nuk ishte bërë akoma prezantimi i Kryesisë së Komitetit Pluralist dhe ende s’isha takuar me Esatin, kur në zyrat e Kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me nënkryetarin demokrat z. Seit Prishta, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, Këshilltar i kryeministrit, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist të Lushnjës, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: – Paskeni Esatin ju të PD-së?

– E njihni? – e pyeti nënkryetari demokrat.

– Kam qenë hetuesi i tij… Dhe nxitimthi shtoi: Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne për çka e akuzonim i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë me shumicë, kishim incizime, pastaj… (ish hetuesi pushoi pakëz) … ai ishte planifikuar prej kohësh sepse i kishte dy vëllezër në brenda, ndërkohë dhe i ati i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte var osur si kulak dhe “armik i popullit”!. Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit B C (tash i ndjerë), që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të Kryeministrit Ylli Bufi. Më vonë Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish-hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së. Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare, të cilin Esati e denoncoi si fenomen shqiptar, në një artikull të botuar në Gazetën”Ora e Fjalës”!

Kur u kthyem në Lushnjë ia thamë Esatit ndodhinë me ish-hetuesin. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish-hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit para se të bëheshin deputetë në një Kuvend me viktimat e tyre duhej të kërkonin falje.Më pas do të botonte një shkrim kurajoz në gazetën lokale “Ora e Fjalës”, të cilën unë e drejtoja ato kohë, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë kur ish-hetuesit tanë, pa na kërkuar falje, vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje po në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.

Ish-hetuesi i tij kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.

Me Esatin qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur: U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegia e ullinjve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave.

Foto: