Lajm fantastik, ky shtet për 3 muaj nuk raporton asnjë rast vendas me COVID-19

Vietnami ka njoftuar se nuk janë regjistruar raste vendase me koronavirus për 96 ditë radhazi. Megjithatë, ky vend i Azisë Juglindore vazhdon të dëshmojë rritje të rasteve të importuara me virusin.

Mediat lokale raportuan se të paktën 12 raste të reja të importuara nga jashtë janë regjistruar gjatë ditës së fundit, duke e çuar në 369 numrin e përgjithshëm të rasteve të zbuluara me koronavirus në vend.

Rastet e reja u zbuluan te pasagjerët që u ulën në aeroportin Van Donn në provincën verilindore bregdetare të vendit, Quang Ninh.

Të gjithë pasagjerët në fluturim u vendosën në karantinë.

Nëpër spitale, qendra shëndetësore dhe shtëpi, Vietnami ka vendosur në karantinë mbi 11 mijë persona.

Pas shfaqjes për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, në mbarë botën COVID-19 ka vrarë pothuajse 610 mijë persona.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, pothuajse 14,7 milionë raste janë konfirmuar në gjithë botën, ndërsa SHBA, Brazili, India dhe Rusia aktualisht janë vendet më të prekura.

Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e të gjithë personave të infektuar në mbarë botën, afër 8,3 milionë, janë shëruar deri më tani nga virusi.