Kush po i shkakton viktimat nga koronavirusi? Sonila Meço nxjerr detajet tronditëse: Sapo ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë tek infektivi

Gazetarja Sonila Meço është shprehur se situata në të cilën ndodhet Shqipëria si pasojë e Covid-19 nuk duhet lënë në dorë të një komiteti, një pushteti, vetëm medias a vërshimit të pa filtruar në media sociale. Gazetarja ka shprehur revoltën lidhur me mënyrën se si po menaxhohet pandemia, ku shton se në vend se të publikojmë çdo detaj makabër, duhet t’i shërbejmë interesit publik. “Viktimat nuk po dimë kush po i shkakton më, covid-i, paniku, kurat e pakontrolluara, patologji të tjera shoqëruese, varfëria, injoranca, konspiracionet, paaftësia a neglizhenca.”, shton Meço në fund të shkrimit të saj.

Shkrimi Sonila Meços:

Kjo nuk është më situatë për t’ja lënë në dorë vetëm një komiteti, një pushteti, vetëm medias a vërshimit të pa filtruar në media sociale. Sapo ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë në Infektiv dhe çfarë dimë me siguri është se “po zbatohet rigorozisht protokolli i OBSH-së”, përtej detajeve makabre, mungesës së transparencës nga autoritetet, ankthit e pasigurisë, që po prodhon një trajtim i paqartë i një situate tronditëse.

Dy gjëra ia vlen të thuhen:

1. Në kushtet e një psikoze kolektive mbi një situatë të paprecedentë dhe të frikshme krijuar në vend e botë a ka mundësi të mendojmë së pari për çfarë po u shkaktojmë njerëzve (po fus edhe veten si njeri i medias) duke publikuar çdo detaj makabër? A mund të fokusohemi tek kërkimi i shkaqeve dhe misioni për të mos zhytur më thellë në neurozë një publik të traumatizuar, por t’i shërbejmë interesit publik?

2. Kur flitet për këto protokollet standarde të OBSH-së, që nuk lejojnë të krijosh asnjë kontakt me pacientët nëpër spitale, më krijon një paqartësi të madhe fakti se si mund të standardizohet një protokoll në shoqëri e vende, që kanë stade të ndryshme zhvillimi, kultura e mentalitete kryekëput të ndryshme? A ndihet njëlloj i sigurt pacienti dhe të afërmit si në Shqipëri, si në Gjermani e si në Somali? Dhe nuk i referohem këtu cilësisë së mjekëve, atyre që kanë dhënë e japin shpirt e përkushtim nga periferitë e pamundësive të mëdha e deri tek qendrat e specializuara. Por tashmë nuk mund të mjaftojë më “po zbatojmë protokollin”, se po jemi vendi i vetëm ku pasojat psikologjike të pandemisë prodhojnë ngjarje makabre, që më pas të lëna në fatin e rrjetit mund të prodhojnë edhe më shumë dëm.

A mund të ngrihet një strukturë multidisplinare me asetet e këtij vendi, pa pyetur me kë parti je, me kë ha e pi, por me të vetmin kut, sa i zoti je të kontribuosh? Mjekë, epidemiologë, infeksionistë, reanimatorë, psikologë, psikiatër, nutricionistë, sociologë, ekonomistë, juristë, gazetarë,shqiptarë që jetojnë në vend e jashtë tij, që të ndërtojnë protokollin tonë, të mundësive tona, të specifikave tona, se nuk vijohet duke kopjuar Italinë e duke arnuar me pak nga të tëra. Viktimat nuk po dimë kush po i shkakton më, covid-i, paniku, kurat e pakontrolluara, patologji të tjera shoqëruese, varfëria, injoranca, konspiracionet, paaftësia a neglizhenca…