Kurti doli sot pro bashkimit Shqipëri- Kosovë, vjen reagimi i parë nga PS-ja

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla i pyetur lidhur me deklaratën e kryetarit të VV, Albin Kurti për bashkim kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, u shpreh se qëndrimi i PS lidhur me këtë çështje mbetet i pandryshueshëm, Shqipëria dhe Kosova bashkohen vetëm në Bashkimin Evropian.

“Nuk janë çështje për të bërë deklarata populiste. I qëndroj qëndrimit të kahershëm të PS, se shqiptarët në këtë anë të kufirit dhe në atë anë të kufirit do të bashkohen në rrugën drejt Brukselit dhe në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe Kosovës drejt integrimit, e kemi mundësinë ta shohim integrimin evropian si koncept të bashkimit të shqiptarëve”, tha deputeti i PS.

Ndër objektivat e PS në këtë mandat, tha sekretari i përgjithshëm i PS, është hapja e bisedimeve me Bashkimin Evropian, i cili siç tha lidhet me një sërë reformash të rëndësishme në vend.