Kufizimi ndaj shqiptarëve për të udhëtuar në BE mund të hiqet? Ja çfarë u tha sot

Ndërsa Shqipëria është një nga vendet të cilës i është kufizuar udhëtimi për në BE, përjashtuar atyre me nënshtetësi apo që lëvizin me kontrata pune, sinjale pozitive vijnë nga Gjermania, e cila ka Presidencën e Bashkimit Europian.

Sipas drejtorit për Sigurinë e Fluturimeve në Autoritetin e Aviacionit Civil, Feliks Baci, po punohet për të hequr kufizimet që po dikton pandemia dhe kushti i udhëtimit të jetë testi i Covid.

“Unë mund t’ju them se Komisioni Europian, nën presidencën e Gjermanisë, konkretisht Departamenti për Transportin po punon që protokolli COVID të mund të zëvendësohet me një protokoll test. Pra kush kërkon të udhëtojë, do t’i bëhet një kontroll i shpejtë në aeroport dhe më pas pasagjeri do të vijojë udhëtimin e tij. Ky është një sinjal pozitiv mbi të cilin po punohet”, tha Baci në emisionin E-ZONË në Vizion Plus.

Sipas Bacit, fluksi i fluturimeve aktualisht është rikthyer si në vitin 1989, ndërsa ekspertët thonë se normaliteti në këtë fushë do të rikthehet në vitin 2024.