Kryeministri Mitsotakis: Turqia do ndeshet me pasojat

Turqia nga e hëna ka rinisur për 10 ditë analizat sizmike për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor, duke irrituar shtetin grek dhe aleatët grekoqipriotë të rajonit.

Rezervat e veta, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i ndau të martën në takimin me kryediplomatin gjerman, Hajko Mass. Mitsotakis bëri të qartë se pala greke kërkon dialog me Ankaranë por me zhvillimet e fundit, sanksionet ndaj saj duken të pashmangshme.

“Në takimin e fundit të Këshillit Europian, Turqisë i dhamë alternativën të përtërijë raportet me Europën, ose të përballet me pasojat e sjelljes së vazhduar agresive. Për fat të keq, ka bërë zgjedhjen e dytë, dhe nëse kujtoni konkluzionet tona, në rast veprimesh të njëanshme që cenojnë të drejtën ndërkombëtare, ne si BE do përdorim të gjitha instrumentet e nevojshme.”

Ministri i Jashtëm gjerman tha se provokimet e Ankarasë e kanë habitur atë vetë dhe Bashkimin Europian, porse solidariteti për shtetin grek nuk ka ndryshuar. Eksplorimet e Turqisë pranë ishujve grekë u qortuan një ditë më parë edhe nga Uashingtoni.

Shtrëngimi diplomatik dhe frikësimi me veprime ushtarake nuk kanë për t’i zgjidhur tensionet në Mesdheun Lindor, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, teksa ftoi Ankaranë të angazhohet për rifillimin e dialogut me Greqinë të lënë përgjysmë në 2016-n.

Turqia pretendon se një pjesë e territorit dhe zonave ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor Greqia i ka marrë padrejtësisht, ndaj kërkon t’i rifitojë sipas parimit të ndarjes së ndershme. Një parim të tillë Ankaraja do ta zbatojë edhe për burimet energjetike në territorin qipriot.