Kokëdhima publikon videon e deputetit shqiptar që po ‘thyen’ rrjetin dhe bën deklaratën e fortë (VIDEO)

Kreu i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima ka reaguar për zhurmën që ka shkaktuar fjalimi i përfaqësuesit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai dje ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe përballë deputetëve të tjerë të këtij Kuvendi.

Postimi i plotë:

Shaip Kamberi, njëri prej 4 deputetëve shqiptarë në parlamentin serb të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit 2020, me veprimet dhe qëndrimet e tij, vazhdon të jetë një zë i vetëm, por i fuqishëm, në mbrojtje të dinjitetit të kombit shqiptar jo vetëm në Serbi.

Fjalimi i tij shqip dje në sallën e parlamentit të Serbisë, për herë të parë pas mëse dy dekadash, ishte një grusht i fortë ndaj diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe politikës shtetërore serbe kundër kombit shqiptar.

Edhe pse u ndërpre disa herë nga kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, deputeti shqiptar i Bujanovcit denoncoi vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, që refuzoi të shpallë fajtor ministrin e Mbrojtjes, Aleksandër Vulin për diskriminim dhe fyerje ndaj shqiptarëve, me përdorimin e termit ofendues “šiptari”, që ishte sanksionuar si pjesë e gjuhës së urrejtjes nga Gjykata e Apelit të Serbisë në vitin 2018, ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, e kishte cilësuar si nënçmues, fyes dhe shkelje e Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit.

Nuk pres që të reagojnë në mbështetje të deputetit shqiptar politikanët servilë dhe inferiorë shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë, aleatë të qeverisë serbe për “Mini-shengenin”, që rikthen ëndrrën e vjetër të ish-Jugosllavisë dhe ekspansionin sllav në trojet shqiptare. Por z.Kamberi ka mbështetjen dhe simpatinë e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë në hapësirën shqiptare dhe në diasporë.