Koalicion i madh PD-PS? Përgjigjet Ilir Meta dhe paralajmëron diçka të madhe

Presidenti Ilir Meta u pyet për mundësinë e një koalicioni të madh PD-PS në zgjedhjet e 25 prillit.

Në përgjigjen e tij, Presidenti theksoi se nuk ndërhyn në raportet e forcave politike, por problem për të është e ardhmja e vendit, e cila, siç thekson ai, është vënë në pikëpyetje.

Pjesë nga intervista në News24

Pyetje: Shumë kemi dëgjuar të lakohet ndoshta apo për mundësinë e një koalicioni të madh PS-PD, ju do ta përkrahni? Sa është mundësia e një koalicioni të tillë zoti Meta?

Presidenti Meta: Më duket se u shpreha shumë qartë. Unë, nuk ndërhyj në raportet e forcave politike. Për mua si President, është problem tepër serioz e ardhmja e vendit, që është vënë në pikëpyetje. Kjo pikëpyetje e merr zgjidhjen përmes referendumit të 25 prillit, përmes garantimit të një ndryshimi të fortë, të rikthimit të vendit në shinat e Kushtetutës, të shtetit ligjor, të demokracisë dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, që janë rrëzuar totalisht vitet e fundit, për shkak të një sundimi njëpartiak.

Pyetje: Gjithsesi kjo duket se nuk është aspak e lehtë, sepse për ta arritur në kushtet që jemi edhe me eksperiencën e asaj çfarë po shohim…me politikanët që kemi, partitë që garojnë Zoti Meta..?

Presidenti Meta: Prandaj janë qytetarët, ata të cilët duhet t’i japin prioritet vetes së tyre, dhe nuk duhet të presin nga politikanët. E para, duhet të shkojnë të votojnë sepse aty është forca e tyre. Pa pjesëmarrje nuk ke të drejtë të kërkosh llogari dhe t’i ankohesh askujt nesër. E dyta, është një mënyrë për të ndëshkuar ata, që të kanë gënjyer. Në mënyrë që edhe ai tjetri, që do të zgjidhet nesër, ta kuptojë se e pret ndëshkimi në rast se luan nga premtimet me qytetarin, me besimin, me jetën, me pronën dhe fëmijët e tij. Jam i bindur, që qytetarët e kanë kuptuar se shpëtimi dhe zgjidhja janë vetë ata.

Pyetje: Edhe një pyetje lidhur me koalicionet që, thamë pak më parë. Zoti Meta, mund të ketë ndoshta një çedim të ndonjë prej partive të opozitës, pas zgjedhjeve të 25 Prillit?

Presidenti Meta: Nuk më duket një pyetje e përshtatshme për mua, se çfarë do të bëjë një parti e opozitës. Në rast se një parti e opozitës do të çedojë nga çfarë?

Pyetje: Do të marrë një anë tjetër, gjithmonë për koalicionet flas.

Presidenti Meta: Në çfarë ane, në anën e ndryshimit apo në anën e greminës?

Pyetje: Kjo mbetet për t’u parë pastaj. Por, gjithmonë tek bashkimi i opozitës është fjala. Sa e bashkuar është opozita dhe sa mund të çedojë një parti opozitare pas zgjedhjeve të 25 Prillit?

Presidenti Meta: Unë nuk ndërhyj dot në këtë çështje. Unë, besoj se e ardhmja i takon atyre që janë për ndryshim. Ata, që duan të shkojnë në anën e greminës, mund të shkojnë. Por, nuk e shpëtojnë dot autobusin që është nisur për në fund të greminës.