“Kjo është shumë e rëndë”, Klosi zbulon prapaskenat e forta, ja çfarë thotë për furnizimin me armë nga Shqipëria

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka folur për akuzat ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së në Kosovë, ku i cilësoi shumë të rënda.

I ftuar në emisionin “Real Story” , Klosi u përgjigj edhe nëse autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me strukturat e UÇK-së, për të cilën tha se “I ndihmonin për gjithçka ata kishin nevojë në territorin e Shqipërisë.

Furnizimin me armë ata e kanë blerë në Evropë dhe nuk kishin rrugë nga të kalonin përveçse nga Shqipëria”, duke vijuar se në territorin shqiptar nuk ka pasur asnjëherë njerëz të armatosur.

“Akuzat ndaj ish-luftëtarëve të UÇK janë shumë të rënda. Provat e tyre mbështeten mbi një logjikë lufte, por jo mbi fakte. Edhe ata që shkuan në Gjykatën e Hagës, se kjo është e Kosovës, u liruan. Pra, gjërat nuk janë shumë të kopsitura. Në territorin e Shqipërisë nuk kanë qenë prezentë, përveç atyre që guxonin të dilnin me uniforma. Ata në Shqipëri erdhën masivisht, kur u tha se në Has kishte armë, dhe ikën sërish. Ishin të rinj kryesisht. Por Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë njerëz të armatosur. Mos e krahasoni me Tropojën, se kjo e fundit kishte situatën e vet”, u shpreh ish-kreu i SHISH.

Ju kishit informacione apo dyshime, qoftë edhe për një rast që të jetë vr arë shqiptari nga shqiptari?

Për një rast nuk ja vlen të merresh fare. Kanë ndodhur në Kosovë, vr asje për gjakmarrje të vjetra, etj. Nuk ishim të shqetësuar për këtë gjë, por për territorin shqiptar, që të mbanim një nivel të caktuar të sekretit, meqenëse do akuzoheshim nga Serbia, dhe jemi akuzuar, për shkelje të embargos.