Kjo është arsyeja pse hoqën dorë nga ndarja e Kosovës

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezja ka komentuar deklaratat e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ai në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se kjo deklarat e tij si vjen si një bombë pas një presioni të ushtruar me muaj ndaj Uashingtonit nga ana e ish kryeministrit Albin Kurti.

“Deklarata e fundit e dërguarit special të Administratës amerikane në bisedimet Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell, se ideja për këmbim territoresh ka qenë e ish këshilltarit të presidentit D. Trump për siguri nacionale, z. John Bolton, vjen si një bombë pas një presioni të ushtruar me muaj ndaj Uashingtonit nga ana e ish kryeministrit Albin Kurti, të cilit, siç dihet qëndrimi i tij i fortë kundër vazhdimit të bisedimeve me Serbinë në fund të cilave Kosova do ndahej, i kushtoi me largim nga posti i sapo marrë i kryeministrit të Kosovës!

Kjo, ngase z. Grenell derisa Albin Kurti ishte kryeministër, nuk deklarohej dhe nuk pranonte se ka pasur ide dhe plan për ndarjen e Kosovës, siç e pranoi tash pas formimit të qeverisë “Hoti”, e që flet qartë se Albin Kurti ka qenë pengesa kryesore për vazhdimin e dialogut me Serbinë sipas kushteve dhe planit “urgjent” të SHBA-ve që mes këtyre dy vendeve të arrihet një marrëveshje para fillimit të zgjedhjeve presidenciale, si një sukses në politikën e jashtme të administratës Trump.

Mbase, dihen mirëfilli lojërat pas shpine të Isa Mustafës dhe H. Thaçit, që me çdo kusht punuan ta largojnë A. Kurtin nga skena politike, siç ishte madje dërgimi i sekserit të tij (IM) në Uashington, pra i Skënder Hysenit si dhe takimi i tij me z. Grenell, ku sipas deklaratës së Hysenit në një TV-emision, ai i paskësh thënë; “se ne (amerikanët) nuk e duam Albin Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës..”, e që dihet se e gjithë çështja ka qenë largimi i ish kryeministrit “Kurti” dhe formimi e një qeverie kukull në krye me Avdullah Hotin e dëgjueshëm dhe zbatues i mirë e urdhrave të shefave të tij!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Elezaj është shprehur se nga deklarata e Grenell rezulton se ka ekzistuar Plani sekret për ndarjen e Kosovës

“Pra, rezulton qartë nga deklarata e z. Grenell, se ka ekzistuar Plani sekret për ndarjen e Kosovës, pikërisht nga John Bolton, i cili njihet si mik i ngushtë i Serbisë dhe A. Vuçiçit, derisa ai ishte në detyrë, por që do ishte shumë më e sinqertë nga z. Grenell sikur këtë fakt ta thoshte para rrëzimit të qeverisë “Kurti”, e jo tani pas formimit të qeverisë “Isa-Hashim”, mbase ky taktizim i tij del të ketë qenë i koordinuar mirë midis tij, H. TH dhe I. Mustafës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Ai deklaratat e Grenell i sheh pozitive pasi që ka treguar saktësisht se plani për ndarjen e Kosovës paska qenë në tavolinën e bisedimeve sekrete në Uashington midis John Boltonit, Vuçiçit dhe Thaçit.

“Sido që të jetë ka bërë shumë mirë që z. Grenell që foli hapur dhe tregoi saktësisht, se plani për ndarjen e Kosovës paska qenë në tavolinën e bisedimeve sekrete në Uashington midis John Boltonit, A. Vuçiçit dhe H. Thaçit, dhe se pas kësaj deklarate të z. Grenell presidentit i Kosovës H. Thaçi, në çdo vend demokratik në botë, do jepte dorëheqje nga posti i presidentit për shkak se në një periudhë të caktuar paska pranuar të bisedojë për rrënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, pra paska pranuar copëtimin e saj, duke i dhënë Serbisë veriun e Kosovës, që dëshmon po ashtu se Albin Kurti paska pasur shumë të drejt në kundërshtimin e tij të bisedimeve në Uashington, ku do bisedohej për ndarje të Kosovës!