“Kjo do të ndodhë për herë të parë në vend”, LSI tregon vendimin më të fundit që ka marrë kjo forcë politike

Në një deklaratë për shtyp, kryetarja e KQZ-së së LSI Silva Caka ka folur sot mbi zgjedhjet që do të mbahen të shtunën e 21 nëntorit në këtë forcë politike, ku do të aplikohet për herë të parë votimi online.

Një aplikacion do të jetë në dispozicion të të gjithë anëtarëve me kartë anëtarësie, që mund të votojnë përmes smartfonit apo tabletit android.

“Lëvizja Socialiste për Integrim, në çdo proces zgjedhor ka qenë avantgardë, duke qenë e para që prezantoi parimin e shenjtë një anëtar – një votë, duke qenë e para që zbatoi kuotën gjinore në masën 50-50, duke qenë e para që aplikoi votimin dhe numërimin  elektronik dhe duke qenë e para dhe ende e vetmja forcë që fokuson të gjithë vëmendjen e saj tek të rinjtë.  Edhe më 21 nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë sërish e para forcë politike, e cila do të aplikojë votimin online”, thuhet në deklaratën për media.