Karantinë totale në Shqipëri? Pëllumb Pipero zbulon dy përhapësit kryesorë të koronavirusit

Mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero tha se familja dhe lokalet janë përhapësit kryesorë të Covid-19 në Shqipëri.

Ai propozoi që mund të shkohet drejt një mbylljeje të bareve para orës 22:00.

“Njerëzit duhet të rrinë sa më pak në lokale. Situata që po përjetojmë do më shumë kujdes, mirëkuptim. Ndoshta lokalet duhet të mbyllen pak më herët, janë në mendimin tim, lokalet dhe familja binomi më i madh i transmetimit.

Fatmirësisht pjesa dërmuese e rasteve e kalojnë Covid-19 pa simptoma, ose shumë lehtë, por kemi edhe raste të rënda.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë, ka një shtim të rasteve të reja, atyre që kërkojnë trajtim spitalor, por edhe numrit të vdekjeve. Është një situatë alarmante, për të cilën duhet të them se duhet të respektohen masat. Jam kundër lockdown, pasi nuk është zgjidhje, por masat duhen respektuar. Ajo që po vëmë re me pacientët në spitale është fakti se shumë prej tyre janë me diabet të fshehur”, tha Pipero për ABC News.