Kaosi në Kakavijë, reagon Komuniteti Shqiptar në Selanik: Do protestojmë në mbarë Greqinë

Komuniteti shqiptar i Selanikut ka reaguar pas situatës kaotike të krijuar në Kakavijë. Me anë të një deklarate, komuniteti paralajmëron se do të ndërmarrë protesta në Selanik dhe mbarë Greqinë, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor të diasporës shqiptare.

Po ashtu shpreh ngushëllimet për familjen 10-vjeçarit nga Lezha, i cili u përplas për vdekje teksa priste për të kaluar në kufi.

Deklarata:

“KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT

Duke i shprehur ndjenjat më të thella ngushëlluese familjes se vogëlushit S. N. që humbi jetën aksidentalisht në Kakavijë, Komuniteti Shqiptar i Selanikut deklaron:

Kërkojmë zyrtarisht nga shteti shqiptar dhe konkretisht nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, Ministri i Diasporës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë të informojnë publikun për masat e marra në përballimin e situatave të paralajmëruara dhe të pritshme për shkak te COV-19 në pikat kufitare me Greqinë.

Kërkojmë të informohemi për hapat e ndërmarra nga përfaqësitë tona diplomatike ne Athinë, Selanik dhe Janinë në ndihmë të qytetareve shqiptarë. Roli i përfaqësive diplomatike nuk është ai i Zyrave të Gjendjeve Civile, dhe në formën e tyre me të keqe. U kërkojmë edhe një herë qytetarëve shqiptarë që të shmangin lëvizjet për në Shqipëri në këtë periudhë kritike të koronavirusit.

Diaspora shqiptare, dhe veçanërisht ajo në Greqi, ka arritur gjithcka me sakrificat e saj dhe nuk duhet të lejojë të abuzohet me të nga askush, për arsye politike, gjeopolitike apo korruptive. Në kushtet e paaftësisë totale të organeve tona shtetërore dhe diplomatike në përmbushjen përgjegjësive të tyre Kushtetuese, Komuniteti Shqiptar i Selanikut paralajmëron se do ndërmarrë protesta ligjore dhe qytetare në mbrojtje të dinjitetit njerëzor të diasporës shqiptare në Selanik dhe gjithë Greqinë.
Ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohen për zgjidhjen e problemeve tona jetësore.

KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT

15 gusht 2020″.

Foto: