Kancelarja Merkel jep lajmin e shumëpritur për Shqipërinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se shpreson për një fillim të negociatave për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përpara përfundimit të presidencës gjermane të Këshillit në dhjetor, gjatë një fjalimi virtual në një forum bashkëpunimi BE- Ballkani Perëndimor, i quajtur “Procesi i Berlinit”, në Sofje.

“Shpresoj se do të jetë ende e mundur që ne të organizojmë konferencën e pranimit nën presidencën tonë”, u shpreh ajo. “Ju duhet të thoni po, bini dakord! Kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi kreu i shtetit gjerman gjatë këtij takimi të bashkëkryesuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, vende të cilat nuk patën sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre. “Një nga objektivat e presidencës sonë të BE është të çojmë përpara procesin e zgjerimit dhe ne synojmë ta bëjmë këtë në ditët dhe javët e ardhshme”, tha nga ana e tij kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas.

Forumi i sotëm në Sofje miratoi gjithashtu një deklaratë që krijon një treg të përbashkët për Ballkanin Perëndimor bazuar në standardet e BE-së.