“Ka blerë shtëpi 500 mijë euro në Palasë”, Basha shpërthen ndaj Braçes dhe lëshon paralajmërimin e fortë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas akuzave të zv.kryeministrit Braçe se ai ka blerë shtëpi në Palasë në vlerën e 500,000 euro. Basha i quajti akuzat “fushatë për baltosjen e tij” dhe paralajmëroi se do të bëjë padi penale dhe për Braçen, për shpifje.

“Këta s’kanë përgjigje për këtë plan (i referohet planit me 5 pika të PD) dhe për të justifikuar paratë që do shkonin për familjet që s’kanë të ardhura, shpifin. Erionin (i referohet Veliajt) e kam çuar për shpifje për ndjekje penale. Por meqë është dhe ky i dyti, do e çoj dhe këtë për ndjekje penale për shpifje”, tha Basha në një lidhje direkte me gazetarin Enkel Demi.

Sipas kryedemokratit, ai e ka deklaruar pasurinë që në vitin 2005 dhe çdo gjë është publike, ndaj ftoi kryeministrin Rama që t’i hetojë pasuritë e tij sepse policinë dhe prokurorinë e ka vetë.

“Pasuria ime është e deklaruar që në vitin 2005. E gjitha është një fushatë që ka për qëllim baltosjen time për të më penguar në mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Të ardhurat e mia dhe pasuria ime kanë qenë të deklaruara që në vitin 2005. Kanë polici e prokuori, aty i kanë le ti hetojnë”, përmbylli ai.