Jozefina Topalli bën nismën e rëndësishme, ja hapi që ka ndërmarrë ajo për partinë e re, tregon synimin e saj

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka nisur punën për regjistrimin e Lëvizjes për Ndryshim për zgjedhjet e 25 prillit. Pasi u fut në fushëbetejë, Jozefina Topalli ka nisur punën për mbledhjen e firmave për ta kthyer lëvizjen në parti politike. Në një intervistë për “Top Channel”, Topalli është shprehur se ndryshimet nuk vijnë nga shtëpia dhe garat nuk fitohen pa hyrë në fushë betejë. Ajo shprehet, se janë ngritur grupe punë të cilat po punojnë për mbledhjen e firmave për këtë lëvizje, ndërsa thekson se kjo parti është shumë e nevojshme në skenën politike shqiptare.

“Ka grupe që po punojnë për të mbledhur firmat, për të kryer procedurat për legalizimin e kësaj lëvizje. Në një terren ku 40 për qind e shqiptarëve jetojmë me më pak se 5 dollarë, ku qeveria është e zhytur në skandale dhe opozita është e pabesueshme ka nevojë për një tërmet në skenën politike shqiptare”, u shpreh Topalli. Ndër të tjera ajo tha, se ka dashur gjithmonë që brenda forcave politike në vend të kishte një reformë të brendshme, gjë e cila sipas saj nuk ka ndodhur. “Arsyeja kryesore është se ekziston një përçarës që nuk rri të bashkojë gjithë këto forca politike së bashku. S’ka qenë dëshira ime kjo, kam shpresuar që brenda forcave politike të niste një reformë e brendshme nuk ka ndodhur”, u shpreh Topalli. Ajo e tha hapur se qëllimi do të jetë largimi i Ramës, Bashës e Metës.

“Asnjëri nuk ka luksin për të humbur asgjë në diferenca te vogla përballë një kauze të madhe për të larguar tre kryetarët”, tha ajo. Lulzim Bashës nuk ia përmend emrin as kur pyetet për sulmet e tij ndaj formacioneve te reja të djathta për të cilat thotë se janë krijesa të Edi Ramës. “Nuk është se e dëgjoj me personin për të cilin ju flisni. Është e vërtetë që ka një mendësi enveriste, që mendojnë n.q.s je me Lulin je me Metën, n.q.s je me Metën je me Ramën. Nëse s’je me Ramën je me Lulin dhe anasjelltas”, vijoi ajo.

Duke folur për anëtarët e lëvizjes së re që po krijohet ajo shprehet se janë kryesisht të rinj, si edhe studentë të fushave të ndryshme, ndërsa lë në pikëpyetje zonën ku do të garojë. “Anëtarët e lëvizjes janë kryesisht të rinj, studentë të fushave të ndryshme. E Shkodrës e Tiranës apo ndonjë qyteti tjetër nuk ka rëndësi. Lidhja ime me demokratët është e pazgjidhshme dhe sigurisht gjithçka do të shkojë në funksion të tyre, sigurisht edhe të shqiptarëve të tjerë të pa parti”, tha ajo. E pyetur lidhur me rikthimin e saj në Partinë Demokratike, Topalli lë një shteg të hapur, ndërsa pranon ftesën e Astrit Patozit, për të bashkuar forcat në një listë të përbashkët.

Topalli akuza opozitës: Është e paaftë

Ndërkohë po ditën e djeshme ish-kryetarja e Kuvendit dhe kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli e ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se vendi është afër destabilizimit, për shkak të varfërisë që ka pllakosur Shqipërinë. “Nuk do thosha që kam qenë anash gjatë gjithë kësaj kohe, kam qëndruar e rezervuar. Kam menduar se është e rëndësishme që të reflektosh për çdo gjë që sillet rreth teje dhe për të reflektuar aktivitizimin tim në politikë? Pse gjatë kësaj periudhe? Ndoshta për të sjellë diçka që ndokujt nuk ia merr mendja. Nuk rri e rezervuar, për kushtet ku ndodhet Shqipëria, ku jetohet në varfëri, e vendi im është afër destabilizimit.

Është një vend i vjedhur në përmasa të frikshme, thotë Global Iniciative. Asnjë qeveri në botë nuk rri dot nëse gjysma e popullit 2është në varfëri”, u shpreh ajo. Nga ana tjetër, zonja Jozefina Topalli theksoi se njerëzit kanë humbur besimin tek politika, ndërsa shtoi se opozita duket disi e paaftë për të kryer misionin e saj. “Kemi krizë të gjithanshme dhe vjen për shkak të deligjitimit të forcave politike. Për të sjellë ndryshime, ka pasur ndryshime si fenomeni Makron në Francë, Pesë Yjet në Itali, Syriza në Greqi etj. Opozita është e paaftë për të kryer misionin e saj. Opozita, edhe kur ishte në parlament, nuk u ballafaqua dot me argumente”, deklaroi Topalli.