‘Jemi në prag të një situate kritike’, rektori i Universitetit të Mjekësisë jep paralajmërimin e fortë

Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë thotë se vendi është në prag të një situatë kritike dhe se periudha e tre muajve të ardhshme do të jetë sfida më e madhe që sistemi shëndetësor shqiptar ka kaluar ndonjëherë që prej krijimit.

“Besoj se jemi në prag të një situatë kritike ku kemi një rritje të lartë të numrave dhe nuk është se nuk e prisnim. Këto tre muaj do të jetën sfida më e madhe që ka kaluar ndonjëherë shëndetësia shqiptare ndoshta që në periudhat e hershme të krijimit të saj.

Kërkon angazhim maksimal dhe solidaritet të stafit mjekësor. Besoj se qoftë mjekët dhe infermierët do të jenë të gatshëm që t’i bashkohen kësaj sfide pasi është sfida më e madhe që ka pasur ndonjëherë mjekësia shqiptare. Aleatët më të mëdhenj mund të jenë vetëm qytetarët shqiptarë”, tha Gjata.

Profesor Gjata tha strategjia e përgatitur për përballimin e kësaj situate parashikon ngritjen deri në 1 600 shtretër për pacientë me COVID-19.

“Është përgatitur që para disa muajsh strategjia për kalimin e këtij dimri. Spitali covid-4 është në gjendje pune dhe mund të hapen 4 spitale rajonale që po pajisen për të trajtuar pacientë me covid. Nëse kalohen kapacitet parashikohet që të hapen dhe spitale të tjera rajonale dhe bashkiake. Numri i shtretërve parashikon të jetë 1 600 në total në të gjithë republikën”, theksoi rektori i Universitetit të Mjekësisë.

Sipas doktor Gjatës kur këto kapacitetet të ezaurohen është momenti që të ndizet drita e kuqe për mbyllje të vendit. “Në një moment nëse ndizet drita e kuqe e kolapsit të shëndetësisë mund të kemi lockdoën total”, shtoi ai.