‘Janë të shpërndarë në të gjithë vendin’, Baton Haxhiu zbulon “30 të fortët” që ndikojnë zgjedhjet në Shqipëri

Analisti i njohur Baton Haxhiu, ishte i ftuar në emisionin “Top Talk” teksa ka komentuar situatë politike tha se janë 20-30 persona në të gjithë Shqipërinë që ndërhyjnë në zgjedhje. Sipas tij, këta persona konsiderohen si “të fortët” dhe e kanë ndërhyrë në zgjedhje që pas vitit 1997.

“Unë e di që ekziston një grup i të fortëve në Shqipëri që ndikojnë në vota, ata janë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Janë diku tek 20-30 persona që gjithmonë në Shqipëri sidomos pas vitit 1997 kanë qenë pjesë e zgjedhjeve. Ata 20-30 persona janë pjesë e partive politike. Në një farë mënyre marrin pjesë në zgjedhje për të ruajtur apo dhunuar votën. Unë e di që gjuha e këtyre politikanëve, për të treguar se sa të rëndësishëm janë ata, se sa të fortë janë me shtetin, se sa e kanë situatën në dorë, kjo gjuhë i drejtohet atyre, jo njerëzve normal. Është e pamundur që presidenti lejon veten që t’i drejtohet vetëm 30 njerëzve të fortë të Shqipërisë që në një farë mënyre kanë qenë të involvuar në atë që quhet ruajtja dhe devijimi i votës së shqiptarëve. Unë jam personazhi që i ka përjetuar këto gjëra, i ka përjetuar se ka menduar që do të heqin dorë prej kësaj. Nuk thash që ata kanë zgjedhjet në dorë, por janë disa zona që deri në vitin 2013, nuk janë mbajtur zgjedhjet pa prezencën e tyre”, tha Haxhiu.