“Jam e gatshme të bashkohem me opozitën me një kusht”, Topalli del me deklaratën e fortë, flet edhe për kryeministrin e ardhshëm të vendit

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka deklaruar sot se është e gatshme të bëjë koalicion me opozitën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por vetëm me një kusht, Lulzim Basha nuk duhet të jetë kandidati i opozitës për kryeministër.

“Jam e gatshme të bashkoj votat me opozitën me një kusht, të mos ketë të korruptuar si kryeministër. Domethënë që Lulzim Basha nuk do të jetë kryeministër”, tha Topalli, e ftuar në Ditarin e A2.

Megjithatë, Topalli tha se nuk ka ende një emër për kandidatin e saj për kryeministër. “Por kam një parim, të jetë i pa korruptuar dhe të dojë vendin. Duket e thjeshtë por tejet e rëndësishme”.

Ajo tha se synimi i Lëvizjes për Ndryshim, partisë së re të ngritur prej saj, është që të largojë Edi Ramën nga qeverisja, por edhe t’i japë shqiptarëve mundësinë për të larguar 3 kryetarët, siç i quajti ajo kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës.

“Nëse do të dimë të kapim momentin e 25 prillit mund të sjelli, ndryshimi. Duke hyrë brenda, duke i kushtëzuar dhe duke bërë të mundur që të bien nga pushteti dhe arroganca. E di që nuk është e thjeshtë, por e di që është e mundshme. Shqiptarët kanë mundësi që me 25 prill të hedhin votën kundër 3 kryetarëve. Votë dhe protestë. Në vend që të rinjtë në shtëpi votojnë për 3 kryetarët. Nëse dalin e votojnë për Lëvizjen për Ndryshim, faktikisht dalin e votojnë kundër 3 kryetarëve”, tha Topalli.

Deri tani, ish-kryetarja e Kuvendit nuk ka prezantuar emrat e kandidatëve për deputetë të partisë së saj, por këtë, tha ajo, do ta bëjë në ditët e ardhshme. “Nuk janë njerëz të politikës së të kaluarës, janë intelektualë dhe njerëz me reputacion në fushat përkatëse. Kemi nevojë për njerëz normalë, nuk na duhen gjeni”, tha Topalli.