Ja sa vende të reja pune premton Basha nëse qeveris Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar dje planin ekonomik në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit. Përmes një ceremonie të posaçme lideri i së djathtës ka bërë një sërë premtimesh dhe zotimesh që do të përmbushen kur të marrë frenat e qeverisë. Me sloganin “Shqipëria fiton”, kryedemokrati u shpreh se qëllimi kryesor i këtij programi është rimëkëmbja e ekonomisë. Basha u shpreh se në fokus është familja, duke theksuar se në mandatin e tij të parë varfëria do të ulet me 50%. Gjatë ceremonisë kryedemokrati prezantoi çështjet kryesore të planit të cilin sipas tij do ta vërë në zbatim sapo të marrë detyrën si kryeministër.

“Familja shqiptare është qendra, shtylla e politikave tona. Me zbatimin e programit tonë varfëria në tërësi do të ulet brenda mandatit tonë të parë me 50%. Programi ynë do ta bëjë Shqipërinë një vend ku zhvillimi të marrë hov në çdo fushë, dhe përfitimi të ndihet nga çdo shqiptar. Angazhimi i parë i programit tonë është minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët. Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburantit, çka padyshim do të ndihmojë jo vetëm klimën e biznesit, por dhe familjet shqiptare.

Do t’ju vijmë në ndihmë të gjitha familjeve shqiptare”, deklaroi Basha. Kreu demokrat u shpreh se paga minimale do të rritet dhe do të vendoset në 36 mijë lekë të reja në muaj, në mënyrë që qeveria të mbështesë akoma dhe më shumë biznesin dhe të punësuarit. Një tjetër angazhim që PD e ka bërë të qartë prej kohësh është vendosja e taksës 9% të fitimit për sipërmarrjet shqiptare me xhiro mbi 14 milionë lekë të reja. Basha u shpreh se do të ulë sigurimet shoqërore në 18%.

“Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çoj atë në 36 mijë lek të reja në muaj, rritja e pagës do të bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin, duke e mbështetur atë, që jo vetëm të rritet paga minimale, por edhe numri i të punësuarve. Qeveria jonë do të mbështesë dhe do të mbrojë të gjithë punonjësit dhe të vetëpunësuarit, sepse kjo është detyrë bazë e saj.

Unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja. Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%”, u shpreh Basha.

Basha prezanton angazhimet për arsimin dhe pensionet.

Kryedemokrati është siguruar që programi të ketë ndikim tek të gjitha moshat, që nga fëmijët, të rinjtë dhe deri tek të moshuarit. Ai shprehu fokusin tek të porsalindurit dhe arsimin për të cilët u shpreh se Shqipëria përmes këtij programit, do të fitojë.

Gjithashtu foli dhe për rritjen e pensioneve me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. “Çdo familje do të përfitojë për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Po ashtu ne do t’iu japim fëmijëve të kenë mundësinë të kenë programe pas-shkollore edukative dhe do t’iu ofrojmë atyre ushqim në shkollë për orët shtesë. Tekstet shkollore për të gjithë ciklin parauniversitar do të jenë falas.

Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Po ashtu angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5%”, deklaroi Basha.