Ja sa do jenë gjobat për mos mbajtjen e maskës, procedurat e plota dhe kush bën përjashtime nga kjo

Duke nisur nga dita e sotme të gjithë qytetarët janë të detyruar të përdorin masën sapo dalin jashtë ambienteve të shtëpisë. Ishte kryeministri Edi Rama, ai i cili pak ditë më parë e paralajmëroi një gjë të tillë, ndërkohë që dje është botuar në Fletoren Zyrtare akti normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, në të cilën theksohet se personat që refuzojnë një vendim të tillë do të dënohen me gjobë nga 30 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. Të drejtën për të gjobitur qytetarët për mosmbajtjen e maskës e kanë Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. “Pika 23, e nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “23. Barriera mbrojtëse është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë nga çdo individ. Individët, të cilët përjashtohen nga ky rregull, përcaktohen në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik. Instituti i Shëndetit Publik nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën e përdorimit të barrierës mbrojtëse jashtë shtëpisë. Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5000 lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre”, thuhet në aktin normativ. Qytetarët “rebelë” që nuk do i binden këtij urdhri të qeverisë do të paguajnë gjobën në faturën e energjisë elektrike. “Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike,duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë”, thuhet në aktin normativ.

Ja kategoria që përjashtohet

Por komiteti i ekspertëve ka vendosur që të përjashtojë një kategori të caktuar nga detyrimi për të mbajtur maskat jashtë ambienteve të shtëpisë. Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar dje udhëzimin e plotë, ku specifikon edhe kategoritë që përjashtohen. Fëmijët nën moshën 11 vjeç do të jenë të përfshirë në kategorinë e personave që nuk janë të detyruar të mbajnë maskë në ambientet publike. Po ashtu, edhe personat të cilët janë të pajisur me raport mjekësor ku specifikohet se mbajtja e maskës i dëmton shëndetin, do të jenë pjesë e kategorisë së përjashtimit të këtij detyrimi. Po ashtu edhe personat të cilët do bëjnë aktivitete fizike, do ecin me biçikletë, motoçikletë, apo monopatina nuk do të mbajnë masë. Por edhe personat të cilët udhëtojnë me makinë me të njëjtët pjesëtarë të familjes apo edhe ata që do jenë në pishinë nuk janë të detyruar të mbajnë maskë. “Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes; Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës; Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive; Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë; Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të; Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det; Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes”, thuhet në udhëzimin e ISHP.