Ja pse Basha nuk është përfshirë në përplasjet e forta mes Edi Ramës dhe Ilir Metës

Analisti Enton Abilekaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe tensionet mes palëve, mbi të gjitha pas votimit në parlament të Kodit të ri Zgjedhor. Sipas tij, lufta më e fortë duket ajo mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, por kjo për shkak të sjelljes të të dyve.

“Lufta e ashpër nuk është vetëm mes tyre, por janë tonet që janë ngritur. Kjo për shkak se presidenti ka marrë përsipër përgjegjësinë e njeriut të vetëm në pushtet që mund të kontrollojë qeverinë dhe mazhorancën. Dhe në këtë rol ai ka zgjedhur, pavarësisht kompetencave të tij, të tregojë fuqinë politike për të ndaluar një shtet të kontrolluar nga një kryeministër dhe një mazhorancës që nuk ka as opozitë, as gjykata dhe as një pushtet tjetër.

Sigurisht që mazhoranca e sheh këtë si tejkalim të kompetencave të presidentit dhe është e shqetësuar për këtë dualitet, për këtë rivalitet, për këtë shtet brenda shtetit, një shtet paralel që mund të krijojë presidenti. Dhe që rrezikon autoritetin e kryeministrit dhe mbi të gjitha zgjedhjet e përgjithshme”, është shprehur analisti. Abilekaj thekson se konflikti president-kryeministër është i shpjegueshëm, ndërsa analizoi edhe faktin pse lideri i opozitës Lulzim Basha nuk po përfshihet në këtë duelizëm.

“Konflikti është i shpjegueshëm. Ndërkohë që Lulzim Basha nuk prefereon të futet në këtë konflikt për shkak të një pozicioni që ka zgjedhur për tu sjellë si kryeministri i ardhshëm dhe për të mos u marr me çështjet e ditës “, tha Enton Abilekaj.